Arbëri

IKD: MPB-ja më joefikasja për sa u përket projektligjeve gjatë 6-mujorit të fundit

Në mbledhjet e mbajtura gjatë 6 muajve të fundit, Qeveria ka miratuar gjithsej 25 projektligje ani se për këtë periudhë kishte planifikuar që t’ua sigurojë dritën e gjelbër 75 syresh.

Bazuar në raportet e publikuara nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, pas monitorimeve të bëra, rezulton se disa prej projektligjeve janë miratuar edhe para afatit të përcaktuar, derisa disa të tjera as që kanë qenë në agjendë.

Përbrenda periudhës së monitorimit, Ministria e Punëve të Brendshme ka rezultuar të jetë më joefikasja mes ministrive.

Shkallën më të lartë të miratimit e kanë pasur projektligjet e sponsorizuara nga Ministria e Financave Punës dhe Transfereve, gjithsej 7.

Që nga fillimi i vitit, përfshirë edhe muajin janar, Qeveria ia ka proceduar në Kuvend 36 projektligje.

Por, Gzim Shala, hulumtues në IKD, e ka vlerësuar si jo shumë efikase punën e Kuvendit në aspektin e miratimit të tyre.

“Nëse e shohim realizimin e agjendës legjislative të Qeverisë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, mund të themi se ka çalim, për shkak se vetëm një numër i vogël i projektligjeve të cilat janë planifikuar në agjendën legjislative të Qeverisë kanë arritur që në shqyrtim të dytë të miratohen nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha Shala.

Në mesin e projektligjeve së cilave u ka kaluar afati i përcaktuar për miratim në Ekzekutiv, e më pas edhe për procedim në Kuvend, janë ai i Punës, Projektligji për inspektoratin e punës, si dhe ai për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Këshillin Ekonomiko-Social.