Arbëri

Nagavci kërkon nga Këshilli i Etikës të UP-së t’i rishikojë masat për profesorët me plagjiaturë

Ministra e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka kërkuar të premten nga Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës që t’i rishikojë masat e shqiptuara ndaj profesorëve të cilëve u është vërtetuar plagjiatura gjatë punimeve të tyre.

Nagavci ka konsideruar se masat e shqiptuara nga Këshilli i Etikës nuk janë adekuate, “sepse nuk shpërfaqin gjykimin shoqëror në raport me praktikat e tilla brenda komunitetit akademik dhe nuk i dekurajojnë ato”.

“Andaj pres nga organet përgjegjëse të Universitetit që t’i rishikojnë masat e shqiptuara nga Këshilli i Etikës, duke siguruar respektimin e standardeve të ndershmërisë akademike brenda institucionit. Si Ministre e Arsimit do t’i drejtohem Këshillit Drejtues të UP-së me kërkesë që të gjitha organet e universitetit t’i trajtojnë me seriozitet këto dhe rastet e ngjashme”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Ministrja e Arsimit bëri me dije se me Projektligjin e ri për arsimin e lartë kanë paraparë masa të veçanta për parandalimin e të gjithë formave të cenimit të integritetit akademik.

“Kjo do të parandalohet me formimin e Komitetit Etik në nivelin qendror, si dhe obligimit që të gjitha institucionet e arsimit të lartë të kenë këshilla të etikës. Projektligji parasheh një afat të arsyeshëm brenda të cilit i gjithë personeli akademik duhet të jetë në gjendje t’i arsyetojë thirrjet akademike, në pajtim me standardet e përcaktuara me ligj”, shkroi tutje ajo.

Nagavci në fund ka thënë se janë të vetëdijshëm që gjendja në UP nuk është e mirë dhe ka paralajmëruar ndryshime.

Të enjten, Këshilli i Etikës dënoi me mosmentorim të diplomave dekanin e Fakultetit të Sporteve Musa Selimi, profesorin Bylbyl Sokoli, profesorin Ajvaz Berisha, profesorin Hazir Salihu dhe profesorin Afrim Koca. Dënim të ngjashëm kishte pasur më herët edhe për profesorët Bujar Dugolli e Ardian Kastrati.

Këto masa, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim i ka konsideruar qesharake.