Opozita nuk është pajtuar që Agjencia Shtetërore e Arkivave të qëndrojë në kuadër të Ministrisë së Kulturës, ashtu siç është e përcaktuar në një ligj të sponsorizuar nga ekzekutivi.
Në mbledhjen e Komisionit për Arsim, deputetët nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, kanë thënë se shërbimi arkivor duhet të rikthehen në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, pasi kanë konsideruar se lënda arkivore është më e sigurt nën menaxhimin e Qeverisë.
“Agjencia duhet të rikthehet në kuadër të Kryeministrisë ashtu siç tha Kastrati. Ne mundemi të kemi pikë vështrimi të ndryshme politike, por si person që është marrë me kujtesën kolektive edhe me punë artistike, si dikush që e kupton, krejt arkiva jonë memorizohet aty, atëherë po pajtohem edhe njëherë që arkiva duhet të jetë në kuadër të Kryeministrisë”, tha Eliza Hoxha e PDK-së.
Në linjë të njëjtë ka folur edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj
“Konsideroj që kjo agjenci duhet të jetë në kuadër të Kryeministrisë. Është një institucion ekzekutiv që kontrollon edhe arkivat në vend, duke e pasur parasysh rëndësinë e ligjit, si dhe të kaluarën dhe gjendjen që gjendet kjo agjenci, konsideroj që duhet të jetë në kuadër të Kryeministrisë”, tha Reshitaj.
E, në Lëvizjen Vetëvendosje që udhëheq me Qeverinë, kanë konsideruar se vëmendja që u ofrohet arkivave nuk varet nga ajo se në menaxhim të cilit institucion do të jetë, por nga mbështetja buxhetore që do t’i ofrohet.
“Kushtet me të cilat punon kjo agjenci me të vërtet nuk janë të mira, qëndron ajo që nuk e kanë as sistemin anti-zjarr apo rrethanat sesi duhet të funksionojë qysh në aspektin e sigurisë, por kjo nuk rregullohet në qoftë se agjencia shkon në kuadër të Kryeministrisë, kjo rregullohet kur e merr vëmendjen e duhur buxhetore”, tha Arjeta Ferjza e VV-së.
Përkundër mospajtimeve, Ligji për arkivat të njëjtën ditë është përcjellë në seancë, në të cilën u miratua me 60 vota pro dhe asnjë kundër.
Ligji parasheh kthimin e materialeve arkivore, të cilat në mënyrë të jashtëligjshme kanë dalë jashtë territorit të Kosovës.
Fillimisht shërbimi arkivor ishte në kuadër të Ministrisë së Kulturës, por në vitin 2006, administrimi me arkiva ka kaluar në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. E, në vitin 2017 është rikthyer sërish në kuadër të Ministrisë.