Arbëri

Pesë profesorë shpallen plagjiatorë, ORCA kërkon vetting

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka kërkuar që të mos lejohet avancimi i profesorëve të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit të cilët janë shpallur plagjiatorë nga Këshilli i Etikës.

Sipas kësaj organizate, atyre po u shqiptohet dënim qesharak për mosmentorim të diplomave.

Të enjten janë publikuar edhe pesë emrat e profesorëve të këtij fakulteti të shpallur plagjiatorë.

“Por, ajo që po ndodh në Universitetin e Prishtinës është skandaloze. Plagjiatorët në këtë universitet po shpërlahen siç shpërlahen paratë e mafisë. Atyre po u shqiptohet dënimi më qesharak që mund të mendohet për një hajn. Po u shqiptohet dënimi me mosmentorim të diplomave nga dy e tre vjet, çka në fakt përbën lehtësim të punës së tyre”.

ORCA ka sqaruar se për dy vjet profesorët lirohen nga obligimi i mentorimit të diplomave ndërkohë që paga e tyre mbetet e njëjtë.

“Gjatë vitit 2022 ORCA ka vërtetuar 7 plagjiatorë. Ardian Kastrati deputet në Kuvendin e Republikës, Bujar Dugolli senator në UP, 1 muaj më parë. Ndërkaq sot, këtyre iu bashkohen edhe 5 të tjerë, përfshirë dekanin e Fakultetit të Sporteve Musa Selimi, profesorin Bylbyl Sokoli, profesori Ajvaz Berisha, profesori Hazir Salihu dhe profesori Afrim Koca”.

ORCA ka kërkuar që në varësi të rasteve, që plagjiatorët ose të përjashtohen dhe t’u merren titujt aktualë kur ata e kanë mashtruar universitetin, ose të merren masa si moslejim i avancimeve kur ata nuk kanë arritur që mashtrimin ta çojnë deri në fund.

Ndërkaq, ka përsëritur kërkesën për vetting në arsim.

Sipas vendimeve të Këshillit të Etikës, katër profesorët, Selimi, Salihu, Koca dhe Sokoli janë ndëshkuar me nga dy vjet mohim të përfshirjen në mentorim në të gjitha nivelet e studimit në UP. Vetëm profesori Ajvaz Berisha ka marrë tri vjet. Në arsyetimin e vendimit thuhet se për dënimet e të katërve është marrë parasysh si rrethanë lehtësuese pasi ata kanë shprehur “keqardhje të madhe për situatën e krijuar” dhe janë “distancuar me vetiniciativë nga punimi i tillë”.

Ata janë denoncuar për plagjiaturë të punimeve shkencore me qëllim të avancimit akademik. Këshilli gjeti për secilin situata ku cenohen të drejtat autoriale dhe fenomeni i plagjiaturës në punimet e tyre.