Bashkimi Evropian për herë të dytë do të tentojë që t’i ulë në tavolinën e bisedimeve krerët e Kosovës dhe Serbisë. Pas tensioneve në veri, caktimi i këtij takimi është bërë më herët se sa që ishte planifikuar një muaj më parë. Megjithëkëtë, pritje të mëdha nuk ka në Kosovë sa i përket epilogut të këtij takimi.
Fundi i gushtit, është konfirmuar të jetë tentimi i radhës i mbajtjes së takimit mes kryeministrit Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Derisa të dyja palët janë shprehur të gatshme për të marrë pjesë, në Kosovë pritjet janë të vogla për rezultatet, që mund t’i prodhojë.
Nëse ky takim mbahet, ai do të jetë i pari që nga korriku i vitit të kaluar.
Sipas Violeta Haxhollit, nga Instituti Demokratik i Kosovës, vetë takimet e rralla mes liderëve nuk janë lëvizje pozitive.
Ajo thotë se gjuha më e tensionuar mes palëve e bën më të vështirë arritjen e ndonjë rezultati.
“Çështja e të pagjeturve dhe çështja e lëvizjes së lirë do të duhej të ishin dy temat më urgjente, që do të duhej të trajtohen nga ana e delegacioneve në këtë takim dhe duhet të gjendjen zgjidhje...”, ka thënë Haxholli.
E Artan Muhaxhiri, pret që në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë të ketë më shumë presion.
“Nuk ka indikacione se qoftë kryeministri Kurti apo presidenti Vuçiq e kanë në plan që ta ndryshojnë stilin e dialogimit dhe për këtë arsye vetëm një presion i madh i SHBA-së dhe BE-së mund të ndikojë që sadopak të ketë ndonjë lëvizje, por sa i përket vullnetit dhe dëshirës së dy liderëve kjo as që vjen në pyetje”, është shprehur analisti Muhaxhiri.
Ftesa e Bashkimit Evropian për takimin e radhës mes Kosovës dhe BE-së, erdhi pas tensioneve në veri me t`u barrikaduar sërish rrugët drejt pikave kufitare.
Derisa kritikon BE-në për qasjen ndaj veprimeve e gjuhës së Serbisë, Naim Rashiti pret kyçje më aktive të SHBA-së.
“Pres që takime të ketë në nivel politik në Bruksel, besoj edhe në angazhim të fuqishëm edhe të SHBA-së dhe ndoshta një rishikim të modaliteteve, i metodologjisë së implementimit të tyre, zgjatja e afatit për më shumë se dy muaj, apo një metodologji e re për implementimin e tabelave në veri dhe më së paku edhe mund të vazhdohet çështja e këtyre stikerave në mes të Serbisë dhe Kosovës në momentin kur të kalon kufiri”, ka thënë drejtori i Grupit për Ballkan.
Skeptik se në këtë takim do të ketë rezultate konkrete është shprehur edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai ka thënë se “kushdo që mendon se me Kurtin ka gjasa të ruhet paqja, e ka shumë gabim”.
Bashkimi Evropian kishte të planifikuar një takim mes Kurtit dhe Vuciqit për javën e fundit të korrikut, por i njëjti nuk u mbajt me kërkesë të Serbisë.