Hasani: Ngjarjet e fundit kanë treguar që dialogu duhet të përshpejtohet
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në veri të Kosovës kanë treguar se dialogu duhet të përshpejtohet me një koncept të qartë.
Sipas Hasanit, gjasat janë shumë të vogla që të ketë një konflikt më të madh, kryesisht për siç thotë ai, prezencës së madhe ndërkombëtare.
“Ajo që shihet qartë është se ngjarjet e fundit e kanë treguar që dialogu duhet të përshpejtohet me një koncept të qartë, jo dosido. Gjasat janë shumë të vogla që të ketë një konflikt më të madh për shkak të prezencës ndërkombëtare”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Për Hasanin, vendosja e reciprocitetit për dokumentet e identifikimit dhe ndërrimi i targave për serbët në veri janë vendimet të pakontestueshme të Qeverisë së Kosovës, por shton se ashtu si vitet e kaluara, mënyra e implementimit të atyre vendimeve ka lënë shumë për të dëshiruar.
“Nuk e konteston këtë punë askush. Çështja është se si e zbaton këtë qëllim legjitim. Mënyra e zbatimit lë shumë për të dëshiruar, kryesisht në nivel operativ. Nuk është hera e parë që ndodh kjo, pasi kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Tash, faktori rus është edhe më i theksuar”, ka thënë ish-gjyqtari i Kushtetuese.
Ai ka shprehur po ashtu bindjen se kah pala serbe ka instruktorë rusë që punojnë “natë e ditë” në forcat parapolitike.
Për takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksander Vuçiq, që është raportuar se do të ndodhë më 18 gusht, Hasani pret që aty të diskutohet mënyra se si të ulen tensionet jo për implementimin e vendimeve.