Arbëri

Hovenier: Pati koordinim me ndërkombëtarët për reciprocitetin e targat

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se dy masat e Qeverisë së Kosovës, ajo për reciprocitet për dokumente dhe ajo për targa, ishin në përputhje me faktorin ndërkombëtar.

Përmes një postimi në Twitter, Hovenier ka thënë se SHBA-ja e mirëpret vendimin e Kosovës për pezullimin e përkohshëm të këtyre masave, deri më 1 shtator.

“SHBA-ja mirëpret vendimin e liderëve të Kosovës për të pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit për targat dhe dokumentet hyrëse/dalëse, të dyja masat janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar”, ka shkruar Hovenier.

Vendimin për pezullimin e përkohshëm të këtyre dy masave, Qeveria e Kosovës e ka marrë të dielën vonë, pas konsultave me ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së, për shkak të tensionimit të situatës në veri.

Pas vendimit, të hënën pasdite janë larguar të gjitha barrikadat në rrugët që çonin drejt dy pikëkalimeve kufitare në Bërnjak e Jarinje, të cilat ishin vendosur nga qytetarë serbë me qëllim të kundërshtimit të masave.

Qeveria e Kosovës është zotuar se me largimin e barrikadave, vendimet do të pezulloheshin, derisa gjatë ditës së hënë, deri në largimin e tyre, janë lëshuar më shumë se 1,500 fletëlëshime hyrje-dalje nëpër pikat kufitare, bazuar në vendimin për reciprocitet për dokumente me Serbinë.