Kreu i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që e ka quajtur kërcënim paralajmërimin për grevë.
Jasharaj ka thënë se nëse ministrja Nagavci dhe Qeveria e Kosovës vërtetë brengosen për nxënësit dhe orët e ditët e humbura nga greva atëherë duhet të angazhohen dhe të hapin dyert për dialog për të gjetur një zgjidhje të pranueshme.
“Ministrja paralajmërimin për grevë e quan kërcënim dhe tregon se as ajo e as Qeveria nuk e kanë në mendje ta ndryshojnë qasjen me sindikatat e as nuk do të qajnë kokën për kërkesat e tyre dhe prandaj ky paralajmërimi ynë, që nuk është kërcënim, po alarm , do të kthehet në realitet dhe greva e përgjithshme do të ndodh fatkeqësisht dhe fajtori i vetëm për këtë është Qeveria Kurti. Ajo që na bën të ndjehemi edhe më keq është se fatkeqësisht funksioni e kolltuku e kanë ndryshuar shumë znj. Nagavci. Ajo dikur si deputete dhe anëtare e Komisionit Parlamentar për Arsim ishte shumë e zëshme dhe në janarin e vitit 2019 kishte deklaruar publikisht kur SBASHK-u ishte në grevë dhe pikërisht për shkak të pakënaqësive lidhur me Ligjin e pagave se ‘greva që nuk e deshën as vetë mësimdhënësit erdhi si rezultat i keqqeverisjes’ për të shtuar, veç tjerash edhe se ...sikur Qeveria të mos i injoronte shqetësimet e SBASHK-ut sot nuk do t’i krijonte pakënaqësitë që i ka krijuar dhe nxënësit nuk do të mbeteshin në shtëpitë e tyre. Shkaktari i vërtetë i grevës është Qeveria e Kosovës’. Ministre atëherë dhe tani SBASHK-u ishte dhe mbetet po ky i njëjti dhe kërkesë kryesore edhe tani lidhet me Ligjin e pagave, por tani ju mundoheni ta arsyetoni Qeverinë pa as edhe një argument dhe se është fajtorja e vetme dhe e kritikoni pa as edhe një fakt SBASHK-un. Sa shumë ju ka ndryshuar funksioni dhe kolltuku juve znj. Nagavci”, thuhet në reagim.
Jasharaj ka përsëritur paralajmërimin se nëse Qeveria vazhdon me qasje të tillë atëherë greva që do të ndodhë në javët e fundit të gushtit do të vazhdojë edhe më 1 shtator.
“Ministre nëse ju dhe Qeveria vërtetë brengoseni për nxënësit dhe orët e ditët e humbura nga greva angazhohuni dhe hapni dyert për takime e dialog dhe për gjetje të zgjidhjes së pranueshme për kërkesat e anëtarësisë”, thuhet në reagim.