Arbëri

Kosova në prag të stagflacionit

 

Bilanci i realizimit të investimeve kapitale në periudhën 6-mujore të këtij viti është më i ulëti në dekadën e fundit. Projektet kapitale nëpër komuna janë realizuar në shkallën 19 për qind e ato në nivel qendror në 9 për qind. Sipas ekonomistëve, kjo situatë tregon për mungesë përgjegjësie e guximi në qeverisje, dhe kanë paralajmëruar se, për pasojë, viti mund të mbyllet me stagflacion, term që shpjegon situatën kur shënohet ngecje ekonomike e njëkohësisht rritja e çmimeve vazhdon

Me pasoja ekonomike do të përcillet rekordi i zi që Kosova ka shënuar në gjashtëmujorin e parë të vitit, në realizimin e projekteve kapitale, kanë alarmuar ekonomistët të shtunën. Ata kanë shprehur drojën se në fundvit mund të mbërrijë edhe stagflacioni, term që shpjegon situatën kur shënohet ngecje ekonomike e njëkohësisht rritja e çmimeve vazhdon.

Asnjëherë në 10 vjetët e fundit Kosova nuk ka pasur realizim më të ulët të buxhetit të dedikuar për investime kapitale. Sipas të dhënave të Institutit GAP, nga projektet e planifikuara në nivelin qendror janë realizuar vetëm 9 për qind e tyre, derisa në nivelin lokal vetëm 19 për qind.