Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se ka një shkresë zyrtare që kanë marrë nga Ministria e Shëndetësisë u është thënë se në kategorinë e stafit mbështetës hyjnë edhe punëtorët e sigurimit teknik dhe fizik.
Por punëtorët e sigurimit teknik dhe fizik nuk i morën shtesat prej 10% të pagës bazë, ashtu sikurse stafi mbështetës. Për këtë, ata protestuan të premten para drejtorive të spitaleve, QMF dhe ambulancave ku kryejnë shërbime si shenjë pakënaqësie për këtë vendim nga ana e Qeverisë.
“Ne kemi njoftimin ligjor nga MSH-ja, zyrtarisht me shkrim. Decidivisht shkruan se në kuadër të stafit mbështetës nënkuptohet se janë punëtorët teknikë dhe ata fizikë. Ne kemi shkresë nga MSH-ja që edhe këta duhet të paguhen”, ka thënë Azemi në “Interaktiv” të KTV-së.
Kreu i BSPK-së theksoi se kanë bërë mbi 1 mijë padi në emër të këtyre punëtorëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe janë në pritje të shqyrtimit të lëndëve, teksa nuk ngurroi të kritikonte Qeverinë.
“Bazuar në llogarinë tonë, nuk është ndonjë shumë e kapërcyeshme. Por hezitimi, mosrespektimi i të drejtave njerëzore tregon që këta [Qeveria] nuk janë fort të interesuar që së paku nëse ka një defekt diku të ulemi të bisedojmë. Këta kanë marrë një vendim ad-hoc. Ne nuk e kemi këtë problem për herën e parë, e kemi pas edhe para dy vjete. Edhe ne kemi strategji tonë. E lamë që këtë drejtësi ta ndajë Themelorja e Prishtinës. Mbi 1 mijë padi për secilin punëtor veç e veç i kemi bërë”, shtoi Azemi.