Arbëri

Kurti për marrëveshjen me MCC-në: Sukses i përbashkët

Pas nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në në SHBA, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se me këtë grant, do të rritet përqendrimi në energji, por edhe do të forcohet ekonomia kosovare.

Ai tha se Kosova ka nevojë t’i përshpejtojë hapat drejt ofrimit të energjisë me kushte të përballueshme, por edhe energji stabile për nga furnizimi.

“Jemi të gëzuar. Është lajm i jashtëzakonshëm për komunitetin e biznesit, për qytetarët. Në këtë mënyrë po rrisim përqendrimin në energji, por do ta forcojmë edhe ekonominë tanë. Do të kemi rritje të investimit të kuadrove dhe trajnimeve veçanërisht te gratë, meqë energjia kur shtohet nga kapaciteti, duhet të shtohet edhe për kah aftësitë. I uroj të gjithë njerëzit tanë për këtë sukses të përbashkët”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti theksoi se duhet ecur shpejt, pasi kriza energjetike nuk do të shuhet.

Ai tha se të martën e të mërkurën është takuar edhe me Gabriel Escobarin, emisar i veçantë i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

“Është mik i vendit tonë dhe dëshiron që Kosova të integrohet në strukturat euroatlantike dhe evropiane”, tha Kurti.