Arbëri

Njohësit e arsimit thonë se mësimdhënësit duhet të paguhen në bazë të performancës

Paralajmërimet e Sindikatës të Arsimit për grevë të përgjithshme në shtator, për prindin Mirfan Demolli, janë të papranueshme.

Demolli, i cili në shtator pret t’i dërgojë dy fëmijët e tij në shkollën “Emin Duraku” në kryeqytet, ka thënë se është shqetësuar nga paralajmërimet për grevë.

Ndonëse është pro që kërkesat e Sindikatës të realizohen, ai kërkon që mësimdhënësit të tregojnë edhe performancë cilësore në mësimdhënie.

"Sa u përket kërkesave të SBASHK-ut ne si prindër apo si Këshill i prindërve ne normalisht jemi për mirëqenie dhe trajtim të dinjitetshëm të mësimdhënësve, sepse patjetër ajo do të reflektohet edhe te fëmijët tanë, mirëpo në të njëjtën kohë në bazë të kërkesave duhet të ketë edhe rezultate, andaj besoj që kërkesat janë legjitime, mirëpo jo në formën ku pësojnë fëmijët", tha Demolli.

Të të njëjtit mendim janë edhe Këshillat e Prindërve në shkollat e Prishtinës.

Në gjimnazin “Sami Frashëri” dhe atë “Ahmet Gashi” kanë kërkuar nga sindikata që të gjejë alternativa të tjera për t’i shtyrë përpara kërkesat e tyre. Sipas tyre, nëse viti shkollor nuk fillon në kohë, përgjegjësi duhet të mbajnë të gjithë akterët.

“Prindërit janë kundër grevave të mëtutjeshme, pavarësisht nga kush vijnë ato. Natyrisht që humbja më e madhe u shkaktohet fëmijëve dhe për këtë duhet të mbahen përgjegjës të gjithë pa përjashtime”, tha Fisnik Dërguti, Kryetar i Këshillit të Prindërve në gjimnazin “Sami Frashëri”.

“Motivimi i mësimdhënësit reflekton në mësimdhënie, prandaj duhet të gjendet një zgjidhje afatgjate dhe të mos kemi më paralajmërime për grevë. Mirëpo edhe të përdoret greva si formë për të arritur mësimdhënësit qëllimet e tyre nuk është në rregull”, tha Emine Daci, Kryetare e Këshillit të Prindërve në gjimnazin “Ahmet Gashi”.

SBASHK-u kërkon rritje të pagës dhe përfshirje direkte në dialog për Ligjin e Pagave.

Sipas njohësit të arsimit, Agon Ahmeti, është paradoksale që të kërkohet rritje page, kur rezultati i nxënësve kosovarë është më i dobëti në rajon.

Ai ka thënë se rritje të pagës duhet të ketë në bazë të performancës të secilit mësimdhënës.

“Kërkesat për pagë janë valide, sidomos në një periudhë kur çmimet vetëm sa po shkojnë e po rriten në ndërkohë që e dimë se pagesa, edhe pse ndoshta në nivel rajonal ndër më të lartët prapë se prapë nuk janë mjaft të dinjitetshme për mësimdhënësit meritorë, por kjo duhet të përkthehet edhe me llogaridhënie më të madhe”

SBASHK-u paralajmëroi veprime sindikale në shtator, pasi sipas tyre, Qeveria nuk ka qenë e hapur për dialog, përkundër insistimeve të sindikatës që të bashkëbisedojnë. Në lidhje më këtë ekzekutivi nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS.