Arbëri

Rugova: “Manifesta 14”, investimi më i madh ndonjëherë në kulturë

Bashkëpunimi i komunitetit kulturor dhe politik e ka sjellë bienalen evropiane nomade “Manifesta 14” në Prishtinë sivjet, ka thënë ish-zëvendësministri i Kulturës, Yll Rugova.

Në emisionin “Sonte me Rronin”, të mërkurën, Rugova tha se Manifesta i sjell shumëçka Kosovës, e të cilën e quajti investimin më të madh ndonjëherë sa i përket kulturës në vend. Eventi shëtitës kulturor nis më 22 korrik.

“Manifesta na jep një shans që të jemi në dialog ndërkombëtar sa i përket artit bashkëkohor, tjetër është zhvillimi urban i qytetit të Prishtinës sepse po i sjellim disa sy të jashtëm në Prishtinë. Është një kontribut i madh për të cilin ne duhet të reflektojmë”.

Ai ka treguar se çfarë argumentesh u janë dërguar organizatorëve të Manifestas për ta sjellë një edicion edhe në Kosovë.

“Ideja e hapësirës së përbashkët vazhdon të jetë sfidë për konceptim veçanërisht se në vitet 90 e kemi humbur qasjen në hapësirën publike. Është dashur të krijojmë disa të reja nëpër kafe, palestra, bodrume për ta pasur një jetë kinse normale. Ne e kemi humbur një raport me muzeun, shumë pak njerëz shkojnë në muze, që ajo është hapësirë e përbashkët publike. Është kjo narrativë që iu ka dërguar Manifestat pse na vyejnë neve ata që të vijnë këtu”.

Manifesta, tha Rugova, po sjell vetëdijesim për trashëgiminë kulturore në Kosovë. Theksoi se ruajtja e trashëgimisë nuk bëhet duke e mbyllur atë, por se ruhet duke e funksionalizuar, një gjë që Manifesta e bën me hapësirat e pashfrytëzuara në vend.

“Ata po donë me i pru praktikat më të reja sa i përket urbanizmit në Kosovë. Mbrojtja e trashëgimisë kulturore e ka edhe një komponent shumë të mirë, Manifesta këtu, sepse po na kthjell edhe ne se ruajtja e trashëgimisë nuk është mshelja e saj dhe lënia aty por funksionalizimi i një hapësire te caktuar duke mos e shkatërruar atë”.

“Logjika që të prishim muzetë, kinematë, teatrot për të ndërtuar qendra tregtare është krimi më i madh që mund t’i bëhet këtij qyteti”.

Rugova ka përmendur historikun e Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe lënia në harresë e komponentëve që ndodhen në muze por nuk janë të regjistruar. Ai e quajti tragjike që kulturën po e shkatërrojnë vetë njerëzit e Kosovës.

“Muzeu Kombëtar i Kosovës si institucion është mbaruar në shekullin 18, familja Gjinolli që ka qenë udhëheqëse e Prishtinës e ka mbaruar shtëpinë e vet muze, ka pasur koleksion të armëve dhe rrobave dhe ka qenë ai koleksion aty deri në shek. 20. Kur ka ardhur komunizmi, regjimi jugosllav e ka marrë koleksionin dhe e ka formuar muzeun e Kosovës. Ai koleksion është ende diku në koleksionin e Muzeut të Kosovës në 50 mijë eksponentët që i ka, por ne nuk e dimë më çka ka aty sepse prej vitit 1999 i kemi humbur regjistrat dhe ne nuk kemi provuar më të marrim edhe një regjistrim të ri me pa çka ka aty. Kjo është mënyrë si e shkatërron kulturën. Po në Serbi t’i kanë marrë 1700 ekspononte por 50 mijë të tjera që i ke në bodrum nuk je marrë me to. Aq sa na ka shkatërruar regjimi serb, ne jemi gati vetes duke ia bë sa i përket kulturës, dhe kjo për mua është tragjike”.

Adrian Berisha, ish-drejtor i Kulturës në Prishtinë, ka thënë se Manifesta vjen me idenë e shfrytëzimit të hapësirave publike të harruara, për funksione të ndryshme.

“Pas luftës ka qenë një qasje neo-liberale sa i përket hapësirës publike dhe procesi i privatizimit ka qenë i krijuar ashtu që tu jepet përparësi korporatave, çmimi më i lartë e ka fituar përdorimin e një hapësire. Hapësirat publike në qytet dhe fshatra duhet të trajtohet ashtu që tu jepet mundësi edhe qendrave kulturore”, tha ai.

Sipas Berishës, ka interesim të jashtëzakonshëm vitet e fundit sa i përket shfrytëzimit të hapësirave publike.