Arbëri

Vishaj: Është shtuar numri i të hospitalizuarve me COVID-19

Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj, deklaroi të mërkurën se ditëve të fundit është rritur numri i pacientëve të hospitalizuar me COVID-19, ndërsa shtoi se ka pacientë me gjendje të rënduar shëndetësore.

Ai tha në “60 Minuta” të KTV-së, se 22 pacientë janë hospitalizuar, 3 në gjendje të rëndë. Pjesë më e madhe e të infektuarve ishin paraprakisht të diagnostifikuar me sëmundje të rënda.

“Kemi manifestime të formave të mesme, dhe pacientë që paraprakisht kanë qenë me sëmundje të rënda, e pasi janë infektuar iu ka ndodhur përkeqësim i gjendjes. Sikur të mos ndodhte vaksinimi , do të kishim më shumë raste. Vaksinimi e shmang, por nuk e parandalon në tërësi infeksionin”, deklaroi Vishaj.

Kreu i Infektives potencoi se në baza ditore po përcillet gjendja e përhapjes së koronavirusit, derisa dha rekomandimet për qytetarët me shëndet të dobët.

“Rekomandojmë që në turma të mëdha, njerëzit me shëndet të dëmtuar, të mos marrin pjesë, por nëse e kanë me patjetër, të përdorin maska sepse kjo është masa më e mirë e parandalimit të infeksionit”, tha ai.

Vishaj iu bëri thirrje qytetarëve të pavaksinuar që të vaksinohen.