Marrëveshja për të pagjeturit është njëra nga 3-4 marrëveshjet që Kosova e Serbia janë afër nënshkrimit, ka thënë emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, Lajçak ka thënë se për këtë marrëveshja 99.5 për qind e tekstit është dakorduar e se duhet vetëm vullneti politik.
“Më e dukshme dhe më logjike, do të thosha se një rezultat pozitiv i takimit do të ishte marrëveshja për personat e zhdukur sepse është çështje kaq e dhimbshme për familjet e personave të zhdukur... Po punojmë në veçanti për këtë. Jemi dy fjalë afër ose larg marrëveshjes”, ka thënë ai duke shtuar se synon që nga takimet në nivelin e krerëve të shtetit të ketë vetëm përfundime me rezultate konkrete.
Të gjitha marrëveshjet, për të cilat Lajçaku ditë më parë tha janë 3 ose 4 në prag të finalizimit, ai ka thënë se janë për përmirësim të raporteve.
Sipas tij, takimi i ardhshëm në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duhet të mbahet më së largu deri në fillim të shtatorit. Ai ka thënë se s’është tragjike që së fundmi dështoi organizimi i takimit, “pasi ata janë pajtuar që të takohen rregullisht”.
Për marrëveshjen finale, Lajçaku ka thënë se u takon palëve të merren vesh për të e të përcaktojnë çka do të thotë normalizimi.
“Të jem i qartë. Dialogu s’ka të bëjë për Kosovën. Ka të bëjë me marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo është një gjë. Mandati im thotë se BE-ja është këtu që të normalizohen këto marrëdhënie sepse e dimë që tash s’janë normale dhe qytetarët po ndiejnë pasojat negative nga ky fakt. U takon dy liderëve të përcaktojnë çfarë do të thotë normalizimi. S’është për t’u habitur që në këtë fazë procesi kanë kuptim ose pritshmëri të ndryshme se çka do të thotë normalizimi. Por të dy e kuptojnë se duhet të takohen një ditë. Të punojnë për të rënë dakord se çka do të thotë normalizim e si të arrihet atje. Po të kishin të njëjtin mendim, s’do të kishte nevojë për dialog. Do të intensifikojmë takimet”, ka thënë ai.
Lajçaku e ka quajtur legjitim vendimin e Qeverisë së Kosovës që të heqë targat “KM” nga Serbia. Megjithatë, sipas tij ka munguar bashkëpunimi me “personat e prekur”.
Të hënën, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u shpreh se dy takime të nivelit të lartë, të planifikuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kanë dështuar për shkak të Beogradit zyrtar. Gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Integrime Evropiane, ai ka thënë se njëri takim i planifikuar mes tij dhe shefit të delegacionit serb ka dështuar e ngjashëm edhe një mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i paraparë për këtë fillimjavë. Sipas tij, procesi i dialogut është duke u përballur me sabotim e minim nga Serbia.