Kompania serbe “Elektrosever” ka shkelur disa afate kohore të përcaktuara në udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë. Ka mbi dy javë që kësaj kompanie i ka kaluar afati që t’ia dorëzojë KEDS-it e KOSTT-it të dhënat e fundit të konsumatorëve. Për mospërfillje të këtij udhërrëfyesi të martën nuk janë deklaruar nga Qeveria e Kosovës dhe nga Bashkimi Evropian.
Udhërrëfyesit për energjinë që në fillim i janë shkelur disa pika.
Kompania serbe “Elektrosever”, e cila u licencua për furnizim të veriut të Kosovës me energji më 24 qershor, ka pasur një javë kohë që KEDS-it e KOSTT-it t’ia dorëzojë të dhënat e fundit të konsumatorëve, por nuk e ka bërë një gjë të tillë as 2 javë pas afatit.
Madje, operatori serb ka shkelur edhe afatin kohor për të nënshkruar me KEDS-in e KOSTT-in marrëveshjet e nevojshme për të operuar në tregun energjetik të Kosovës.
Për papërgjegjësinë e “Elektroseverit”, nga KOSTT-i nuk janë deklaruar për këtë çështje.
Në KEDS kanë thënë që Qeverisë i takon të deklarohet.
“Po flasim për një çështje ku janë të involvuar edhe akterë që janë më të lartë se ne në këtë çështje, përkatësisht Zyra e Rregullatorit të Energjisë, e cila na mbikëqyr neve, dhe Qeveria e Kosovës që është e informuar për secilin detaj, prandaj ju kishim lutur t’u drejtoheni këtyre institucioneve”, ka thënë zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.
Por, as nga Qeveria e as nga Bashkimi Evropian nuk i kanë kthyer përgjigje KOHËS se si do të gjendet zgjidhja për rrymën në veri nëse nuk zbatohet marrëveshja dhe a do të ketë penalizime për ata që nuk e përfillin atë.
Por një ditë më parë zv.kryeministri Besnik Bislimi ka thënë se shpreson që marrëveshja do të zbatohet pasi ka 100 ditë kohë.
“Është e paarsyeshme nga ana e ‘Elektroseverit’ që synon minimin e marrëveshjes. Ne nuk duhet të biem pre e tyre. Për mua është e rëndësishme që korniza e përgjithshme prej 100 ditëve të respektohet dhe pastaj do të merremi me BE-në”, u shpreh Bislimi të hënën.
E kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, tha se do të ndërmarrin veprime konform udhërrëfyesit, nëse kompania e licencuar nga ta nuk i përmbahet atij.
“Pika e dytë ende nuk është zbatuar sipas afatit, tash pikat e tjera janë të përfshira në këtë udhërrëfyes, por pika e dytë në këtë marrëveshje nuk është zbatuar sipas afatit të paraparë. Nëse e shikoni, sipas marrëveshjesh, aty pika nëntë e shpjegon shumë qartë se cilat janë veprimet e ZRRE-së”, ka thënë Fejzullahu.
Me udhërrëfyesin për energjinë, nëse “Elektroseveri” nuk i respekton dispozitat, pas 100 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, ZRRE-ja mund të vendosë t’ia pezullojë ose edhe t’ia tërheqë licencën për furnizim.
Deri te ky vendim janë paraparë negociata dyjavore mes palëve, me lehtësim të BE-së.
Kritikë ndaj shpërfilljes së këtij udhërrëfyesi ka pasur edhe nga opozita.
“Aty është një udhërrëfyes, ne kërkuam që pikat e udhërrëfyesit të zbatohen. Dy janë zbatuar, regjistrimi ka qenë, licencimi është bërë nga kjo zyrë, mirëpo ‘Elektrosever’ ende nuk i ka dorëzuar listat e konsumatorëve që duhet t’i ketë në posedim ky institucion dhe institucionet e Kosovës, në mënyrë që të fillojë inkasimi”, ka thënë deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri.
KOHA ka kërkuar informacione edhe nga kompania “Elektrosever” se pse nuk po i përmbahet udhërrëfyesit, por përgjigjja ka munguar.