Iryna Synelnyk dhe Oksana Chykanch janë dy gazetaret ukrainase që kanë ardhur të dielën në Kosovë.
Sipas një njoftimi për media nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, gazetaret janë mirëpritur nga kolegia e tyre, Lyudmila Makey, kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, zyrtarja Ligjore e ECPMF, Flutura Kusari, si dhe përfaqësues të MPB-së dhe Policisë së Kosovës.
“Synelnyk dhe Chykanch - do të strehohen në Kosovë, në kuadër të programit ‘Journalists in Residence – Kosovo’, i cili është inicuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF dhe European Federation of Journalists - EFJ, e që mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Programi është duke u zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me ECPMF-në, ku deri më tani kanë strehuar gjashtë gazetarë”, thuhet në njoftim.
AGK-ja ka sqaruar se “Journalists in Residence - Kosovo”, ofron pagë mujore, akomodim në banesë, kushte për punë, kurse të gjuhës dhe të integrimit, si dhe ndihmë psiko-sociale sipas nevojës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.