Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të shtunën ka miratuar propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, që do t’i hapë rrugën procesit të integrimit evropian.
Propozimi u miratua me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur. Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në procesin e votimit.
Deputetët votuan për shtatë konkluzione të hartuara nga grupi parlamentar i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), e që kanë të bëjnë me garancitë për gjuhën dhe identitetin maqedonas.
“Kuvendi obligon Qeverinë që përmes delegacioneve në bisedime, t’i përmbahet përcaktimit për respektimin pa kushte të gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në. Në kornizën e bisedimeve gjuha maqedonase të jetë pa sqarime, pa shtesa dhe pa fusnotë”, thuhet mes tjerash në propozim-konkluzionet që u prezantuan nga Grupi Parlamentar i LSDM-së.
Votimi vjen pasi në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për tre ditë është debatuar për këtë propozim.
Debati u përcoll me kundërshtime e madje edhe me tentime për përplasje fizike.
Gjatë gjithë debatit, deputetët e partisë opozitare, VMRO-DPMNE, përmes fishkëllimeve me bori i penguan deputetët e partive në pushtet që të mbajnë fjalimet e tyre.
Propozimi francez parasheh kapërcimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike ndërkohë që pala bullgare kërkon nga pala maqedonase që të përfshijë edhe pakicën bullgare në preambulën e Kushtetutës, si të barabartë me popujt e tjerë.
Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, në fjalimin para deputetëve, që u përcoll me fishkëllima nga opozita, tha se Qeveria është e vendosur “të qëndrojë në rrugën e mbrojtjes së gjuhës maqedonase, identitetit, veçorive historike dhe kulturore të popullit maqedonas përmes barazisë së tij me kombet evropiane”.
Por, deputetët e VMRO-DPMNE-së vazhdojnë me akuzat ndaj Qeverisë për “tradhti kombëtare” pasi, sipas tyre, “propozimi francez rrënon gjuhën dhe identitetin kombëtare maqedonas”.
Deputetët e opozitës nuk janë bindur as nga deklarata e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila të enjten në fjalimin para deputetëve tha se propozimi garanton gjuhën maqedonase dhe se askush nuk duhet të jetë i shqetësuar për identitetin e tij.
Mospajtimet për këto çështje kanë bërë që Bullgaria, si vend anëtar i Bashkimit Evropian, të bllokojë nisjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE, për më shumë se dy vjet./ REL
Rama: Të hënën delegacioni shqiptar shkon në Bruksel për të nisur negociatat e anëtarësimit në BE
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se me ndezjen e dritës jeshile nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut për propozimin francez, “pengmarrja absurde e Shqipërisë ka marrë fund”.
Rama ka thënë se janë dashur tre vjet të stërmundimshme për t’i hapur rrugë negociatave.
“U deshën plot 3 vite të stërmundimshme nga vendimmarrja e Këshillit Europian për t'i hapur rrugë negociatave, që vargmali i pengesave artificiale të ngritura përpara Shqipërisë të rrafshohet tërësisht. 3 vite të tëra top futbolli nëpër fushat e interesave të politikës së brendshme të vendeve anëtare - pa harruar edhe xhagajdurët e mëmëdheut, grata e non grata, që tërë këto vite nuk i lanë dy gurë bashkë, për ta bllokuar Shqipërinë për llogari të interesave mizerabël të politikës së tyre pa fe, pa atdhe, pa din e as iman. 3 vite me gjëma të pandara, nga tërmeti tek pandemia dhe tani mes pasojave të luftës në Ukrainë mbi çmimin e jetesës këtu e kudo në botë. Këto sfida të jashtëzakonshme kanë vënë në sprovë jo thjesht qeverinë, po karakterin tonë si vend, si bashkësi njerëzish dhe si shumicë qeverisëse natyrisht”.
Rama njoftoi se të hënën delegacioni shqiptar shkon në Bruksel për ta nisur negociatat zyrtare për anëtarësimin në BE.
“Delegacioni shqiptar do të niset të hënën në Bruksel për ta filluar këtë pjesë të re rruge, duke filluar negociatat e anëtarësimit. Do t'ia dalim në krye edhe kësaj pjese të re përpjekjesh, duke u lidhur më ngushtë me shqiptarët dhe duke e synuar me forca të reja majën ku do ta ngjisim me se s'bën Shqipërinë”.
-
16 korrik 2022 15:57
-
Shpërndaje në: