Numër i madh i projektligjeve gjatë këtij sesioni të punës së Kuvendit janë bartura nga seanca në seancë, duke mos marrë kështu miratimin e deputetëve. Mungesa e deputetëve të pushtetit në seanca ka bërë që të dështojë miratimi i ligjeve me rëndësi, mirëpo në shumë raste edhe pse ishin prezentë deputetët e opozitës kanë pamundësuar votimin.
Pushteti e opozita fajësojnë njëra-tjetrën për mosbashkëpunim, duke konsideruar se krejt kjo po ndodh për inate politike dhe se krejt kjo po shkon në dëm të qytetarëve.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku u ka bërë thirrje deputetëve opozitar që t’i përkrahin iniciativat ligjore ngase po cenohet interesi i qytetarit.
“Tradicionalisht mazhoranca duhet t’i sigurojë votat për projektligjet dhe çështjet që janë me rëndësi për vetë qeverinë aktuale që të votohen. Mirëpo kishte qenë mirë që në parim edhe opozita të mbështes iniciativa të cilat e përmirësojnë jetën e qytetarëve. Nuk është ratifikuar miratimi i një marrëveshje tejet të rëndësishme që ka të bëjë me mirëqenie sociale ku për reformimin e skemës sociale ku do të përfitonin qytetarët. Inkurajojë deputet opozitar që kur janë çështjet me prioritet për jetën e qytetarëve që ti përkrahin ato iniciativa qoftë ligjore apo plotësim ndryshime të ligjeve sepse aty po preket interesi i qytetarit. I kuptoj inatet politike, por po dëmtohen qytetarët”, ka thënë ajo.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, theksoi se secili projektligj që shkon në Kuvendin e Kosovës dhe që nuk votohet është në dëm të qytetarëve.
Sipas saj, mosvotimi i projektligjeve është përgjegjësi e Qeverisë sepse e kanë shumicën në Kuvend. Ajo kujton kohën kur VV-ja oshte në opozitë e nuk përkrahte iniciativat e partive të tjera në pushtet.
“Secili projektligj që vjen në Kuvendin e Kosovës dhe që nuk votohet normalisht që dëmtohet qytetarët e vendit. Por kjo është përgjegjësi e Qeverisë dhe mazhorancës sepse kanë mbi 58 deputet ku përgjegjësia është e tyre të sjellin projektligje dhe të votojnë. Ato projektligje t’i shërbejnë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ajo. “Në kohën kur kemi qenë pozitë dhe VV në opozitë ka votuar gjithmonë kundër dhe nuk ka marrë pjesë në votime tani këta e kanë obligim dhe përgjegjësi edhe për këtë rast qytetarët kanë pasur kohë mjaftueshëm për të analizuar se a e kanë merituar një Qeveri populiste siç është Kurti 2”.
Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj tha se nuk është përgjegjësi e opozitës, por mazhorancës që të funksionojnë Parlamenti dhe të miratohen ligjet.
Mes tjerash, Lekaj potencoi se nëse vazhdohet me këtë injorancë nga mazhoranca, nuk ka kuptim që kjo Qeveri të vazhdojë punën. /EO