Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë, njëkohësisht Kryesues i Radhës i OSBE-së, Zbigniew Rau.
Ajo u shpreh se kanë diskutuar për rolin e OSBE-së në mbështetjen e institucioneve të Kosovës përgjatë dy dekadave të fundit, si dhe për zhvillimet e fundit të sigurisë në rajon dhe më gjerë. Osmani tha se Kosova është e përkushtuar që të kontribuojë në mënyrë aktive për një Evropë më të bashkuar, më paqësore dhe më demokratike.
“Kosova ka shënuar progres të vazhdueshëm në forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, prandaj presim përkrahje në rrugëtimin tonë euro-atlantik nga shtetet që ndajnë vlera të njëjta”, deklaroi Osmani.
Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, Osmani ka theksuar se Kosova vazhdimisht është palë konstruktive dhe se procesi duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë.
U diskutua edhe për përkushtimin e Kosovës për ta mbështetur popullin ukrainas, i cili po përballet me luftën e paprovokuar të Rusisë, për thellimin e marrëdhënieve miqësore me Poloninë, si dhe për nevojën për ta përshpejtuar perspektivën euroatlantike të Kosovës, thuhet në komunikatën e lëshuar pas takimit nga ZPRK.
Osmani tha se llogarisin në mbështetjen e Polonisë në rrugëtimin euroatlantik të Kosovës.
“Kosova është e përkushtuar që të kontribuojë në mënyrë aktive për një Evropë më të bashkuar, më paqësore dhe më demokratike”, ka theksuar presidentja në takim me ministrin e Jashtëm polak.
Pas presidentes, ministri Rau takoi homologen Donika Gërvallën.

Ministri polak do të takojë edhe krerët e tjerë institucionalë më pas.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe ministri Rau biseduan për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy shteteve dhe angazhimin e Polonisë në rajon si kryesuese e radhës e OSBE-së. Po ashtu u shkëmbyen mendime rreth punës së legjislativit, progresit që ka shënuar Kosova me ndërmarrjen e reformave në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së shprehjes, demokracisë, sistemit zgjedhor dhe të drejtave të njeriut, si dhe bashkëpunimin e Kuvendit me misionin OSBE-së në Kosovë, njoftoi Zyra për Media e Kuvendit.
Konjufca ritheksoi se e ardhmja e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.
Të dy theksuan si çështje me rëndësi strategjike integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.
Në mesditë, është paralajmëruar konferenca e ministrit të Jashtëm polak në ambientet e Institucionit të Avokatit të Popullit me të cilën shënon edhe përmbylljen e vizitës në Kosovë.
