Arbëri

AGK-ja dhe KMSHK-ja e cilësojnë kërcënim ndaj mediave deklaratën e Pacollit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës janë shprehur të shqetësuar me fjalimin e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.

Në një komunikatë për media, AGK-ja dhe KMSHK-ja thonë se në fjalimin e sotëm në Kuvend, deputetja Pacolli ka bërë thirrje për rregullim qeveritar të mediave, sidomos mediave online.

Sipas tyre, thirrja e hapur e deputetes Pacolli për ndërhyrje direkte të Qeverisë për kontroll ndaj mediave është e papranueshme dhe paraqet rrezik për lirinë e medias në vend.

“Mediat, shumica e të cilave janë të regjistruara si biznese në ARBK, kurse një pjesë tjetër si OJQ, rregullojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet ligjeve përkatëse në Kosovë dhe rregulloreve të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Këshillit të Mediave të Shkruara”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, çdo tentim i Qeverisë për të ushtruar kontroll mbi mediat është tentativë e papranueshme

KMSHK-ja dhe AGK-ja vlerësojnë se ky është kërcënim serioz i pushtetit aktual kundër mediave.

“Një gjë shqetësuese që është përmendur në rezolutën e fundit dhe që nuk është përmendur viteve të mëparshme është se viteve të fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media, përmes të cilave është krijuar mundësia e ndërhyrjes dhe ndikimit në disa mediume kryesore dhe në ato online të cilat po përdoren për qëllime biznesore dhe shantazh politik. Pra, këtu kërkojmë vëmendjen e Kuvendit dhe Qeverisë që të marrin masa dhe të kuptojmë më shumë se çfarë po ndodh me funksionimin e mediave, me transparencën si dhe identifikimin e pronësisë së mediumeve”, ka thënë të enjten deputetja Pacolli në fjalën e saj në Kuvend.