Arbëri

Suspendohet kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala

Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen urgjente të mbajtur të enjten ka vendosur ta suspendojë kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala.

Përveç suspendimit, KPK-ja ka themeluar edhe një ekip hetimor për zhvillimit e procedurës ndaj kryeprokurorit Buzhala.

Buzhala dyshohet se shpërndau pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesionalë në një video të publikuar nga "Kallxo" të mërkurën. 

“Po ashtu, ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, pas anulimit të konkursit ka filluar procedurën disiplinore ndaj anëtarëve të komisionit përzgjedhës të shërbimit civil për zhvillimin e procedurës së rekrutimit, për pozitën Bashkëpunëtorë profesional për prokuroritë Themelore në Gjakovë, Prizren dhe Pejë”, thuhet në njoftimin e KPK-së.

Enis Gashi do ta ushtrojë detyrën e kryeprokurorit të Prokurorisë së Gjakovës.