Arbëri

Mungesa e punimeve shkencore lë UP-në pa 9 programe masteri e doktorate

Për shkak të mungesës së punimeve shkencore të profesorëve, por edhe në mungesë të stafit adekuat, Këshilli Shtetëror i Cilësisë nuk ia ka akredituar Universitetit të Prishtinës 9 programe të nivelit master dhe atij të doktoratës. Njohës të arsimit të lartë thonë se mungesa e stafit të kualifikuar mban peng hapjen e programeve të studimit, të cilat janë të nevojshme për tregun e punës

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC) i ka refuzuar nëntë kërkesa të Universitetit të Prishtinës për akreditim të programeve në nivelin master dhe atë të doktoratës.

Në mungesë të publikimeve shkencore të stafit, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike nuk ka arritur të marrë aprovim për akreditimin e programit “Prodhimtari dhe Inxhinieri Industriale me Menaxhment” në nivelin master.

“Pas verifikimit të dokumentacionit ashtu siç është e përcaktuar me Udhëzimin Administrativ 15/2018, KSHC ka konstatuar se bartësit e këtij programi të studimit nuk i plotësojnë kriterin e publikimeve shkencore sipas vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë”, thuhet në vendim.

Për mungesë të punimeve shkencore nuk është akredituar as programi për Shkenca kompjuterike në nivelin master në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore.

Njëri nga bartësit e programit, i cili kishte doktoratën në Drejtimin e Shkencave Kompjuterike, nuk e plotësoi kriterin e publikimeve shkencore.

“Pas verifikimit të dokumentacionit ashtu siç është e përcaktuar me Udhëzimin Administrativ 15/2018, KSHC ka konstatuar se Eliot Bytyçi nuk e plotëson kriterin e publikimeve shkencore”, thuhet në vendim.

Për të fituar akreditimin për nivelin master, bartësit e programit duhet të kenë dy punime nga fusha e studimit në revista shkencore, qoftë si autor i parë ose autor korrespondent.

Ndërkaq, në mungesë të stafit të fushës së ngushtë i është refuzuar kërkesa Fakultetit të Mjekësisë për akreditimin e programit “Rregullativa Farmaceutike” në nivelin master.

Një kriter tjetër për të fituar akreditimin në nivelin master është që bartësit e programit të kenë marrëdhënie të rregullt të punës me titull PhD nga fusha e programit të studimeve.

“Pas verifikimit të dokumentacionit ashtu siç është përcaktuar me Udhëzimin Administrativ 15/2018, KSHC ka konstatuar se PhD e bartëses Aida Loshaj-Shala nuk përkon me fushën e studimit të programit”, thuhet në vendimin e KSHC-së për kërkesën e Fakultetit të Mjekësisë për aprovimin e programit “Rregullativa Farmaceutike”.

Pa akreditim ka mbetur edhe programi “Shkencat e Ushqimit” i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, për shkak të mungesë të stafit adekuat.

“KSHC ka konstatuar se Arbenita Hasani-Rexhepi ndodhet jashtë vendit dhe nuk mund të jetë me orar të plotë në fakultet, si dhe titulli PhD i bartësit Hysen Bytyçi nuk përkon me fushën e programit të studimit”, thuhet në vendim.

Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore nuk i është akredituar “Matematika” në nivelin master. Në vendimin për këtë program nuk është theksuar se cilat standarde nuk janë vlerësuar. Aty thuhet se nga shtatë fushat e standardeve të akreditimit, vetëm dy janë përmbushur substancialisht dhe pesë pjesërisht.

“Duke u bazuar në gjetjet e ekspertëve ndërkombëtarë të akreditimit gjatë realizimit të vizitës, si dhe në rekomandimin përfundimtar të dhënë në raportin final të vlerësimit nga ekspertët, është vendosur në mosriakreditimin e programit”, shkruan në vendimin e KSHC-së.

Ndërkaq, Fakultetit të Arkitekturës i është refuzuar programi “Efiçienca e Energjisë” i nivelit master profesional, me arsyetimin se në Udhëzimin Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë nuk është paraparë ofrimi i programeve të studimit në nivelin master profesional.

Rinor Qehaja, drejtor në institutin për studime në arsim “Ed Guard”, ka thënë se mungesa e stafit të kualifikuar mban peng hapjen e programeve të studimit që janë të nevojshme për tregun e punës.

“Fatkeqësia në të është që pastaj me atë staf në dispozicion të këtyre institucioneve të arsimit të lartë, këto institucione të njëjta detyrohen që të aplikojnë për akreditim që i përshtatet profilit të stafit akademik, mirëpo jo programeve që me të vërtetë ka nevojë tregu për to”, ka thënë Qehaja.

Sipas vendimeve të publikuara deri më tani nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë, i cili ka statusin e Bordit të Agjencisë së Akreditimit, tri programe për doktoratë në UP nuk janë akredituar për mosplotësim të standardeve thelbësore. Disa nga kriteret e standardet thelbësore përfshijnë: burime të mjaftueshme njerëzore për të mbështetur doktoratën, kapacitete të mjaftueshme në kërkime shkencore, infrastrukturë dhe objekte inovative, e të tjera.

Shkaku i mospërmbushjes së disa prej këtyre kritereve, programi i studimit të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike “Inxhinieri Elektrike dhe Kompjuterike” nuk ka arritur të akreditohet.

Njëjtë ka ndodhur edhe me programet “Biologji e Organizmave dhe Ekologji” dhe “Kimi”, në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore.