Arbëri

Nagavci: Gjetjet e Auditorit në vlerësimin e teksteve shkollore, shqetësuese

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, njoftoi se janë shqetësuese gjetjet e auditorit të brendshëm mbi kriteret e përzgjedhjes së recensentëve, vlerësimit të dorëshkrimeve dhe materialeve mësimore.

Nagavci shkroi në Facebook të enjten, se sipas auditimit, në vlerësimin e teksteve të reja shkollore, të hartuara për periudhën 2018-2019, pati shumë parregullsi ligjore, administrative e profesionale.

“Menjëherë më 1 korrik 2022, këto gjetje i kam dorëzuar në Njësinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion të Policisë së Kosovës. Shndërrimi i botimit të teksteve shkollore në mundësi përfitimi ilegal për grupe të ndryshme të interesit ka ndikuar negativisht në tërësi procesin dhe cilësinë e teksteve shkollore. I bëj thirrje Policisë dhe Prokurorisë që të trajtojnë me prioritet gjetjet e Auditorit”, shkroi Nagavci.

Në dokumentin e auditorit, që Nagavci e publikoi në Facebook, thuhet se procesi i vlerësimit të teksteve është zhvilluar duke i mbledhur të gjithë recensentët së bashku në një hotel që të punojnë bashkërisht për vlerësimin e teksteve shkollore.

“Kjo është në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ nr.18/2018, që kërkon që recensentët të jenë të pavarur në punën e tyre dhe ata të punojnë individualisht në vlerësimin e teksteve”, thuhet në gjetjet e auditimit.

Në dokument potencohet se emrat e recensentëve nuk duhet bërë publik deri në shpalljen e rezultatit të konkursit, ndonëse organizimi ua ka mundësuar “qëndrimin dhe shoqërimin me njëri-tjetrin”.

“Qëndrimi ditor për secilin anëtar në hotel në Shqipëri ka kushtuar nga 60 deri në 91 euro për një natë, varësisht nga suita e zgjedhur. Sipas burimeve të Njësisë së Auditimit të Brendshëm, qëndrimi ditor në atë periudhë për një person ishte përgjysmë apo edhe trefishi nga çmimi i paguar nga MASHTI-i”, thuhet tutje në dokument.

Nagavci u shpreh se beteja ndaj keqpërdoruesve në proces të përzgjedhjes dhe botimit të teksteve shkollore, nuk do të ndalet.

 

Beteja me keqpërdorues në proces të përzgjedhjes dhe botimit të teksteve shkollore nuk do të ndalet. Hap pas hapi deri...

Posted by Arbërie Nagavci on Thursday, July 7, 2022