Arbëri

Kërkohet ulje e TVSH-së dhe e akcizës në raport me rritjen e çmimeve të derivateve

Gjashtë centë zbritje të çmimit të një litri naftë brenda një jave, është efekti i vendimit të Qeverisë për caktimin e çmimeve tavan të derivateve. Nga 1 euro e 84 centë sa ishte më 1 korrik, të enjten çmimi i një litre naftë ishte 1 euro e 78 centë.

Por kjo ndërhyrje në treg nga Qeveria, ndonëse me Kushtetutë Kosova përcaktohet si ekonomi e lirë e tregut, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka reflektuar në mënyrë simbolike tek konsumatorët.

“Edhe pse Qeveria po ndërhyn që të caktojë çmimin, nuk është se po vërehet në xhepin e konsumatorëve, pasi ajo është simbolike. Për t’u vërejtur në xhepin e konsumatorëve më substanciale do të ishte që së paku për këtë pjesën e rritur, në mënyrë që të mos kemi rrezikim të të hyrave buxhetore, për këtë pjesën e rritur të kishte një suspendim të TVSH-së dhe të akcizës për naftën”, ka thënë Berat Rukiqi, kryetar i OEK-ut.

Por, sipas Edison Jakurtit, doktorant i ekonomisë, vendosja e çmimeve tavan për derivate është një politikë e duhur që për një periudhë afatshkurtër e ndal hovin e rritjes së mëtejme të çmimeve.

“Për arsye të implementimit, më mirë do të ishte sikur çmimet të vendoseshin për periudha më të gjata. Por, meqë Ministria po i përditëson çmimet në baza ditore, ajo duhet t’i ketë parasysh edhe lëvizjet e shpeshta të çmimeve që ndodhin në tregjet ndërkombëtare. Rënia e çmimit ndërkombëtarisht duhet të reflektohet edhe në Kosovë. Nëse kjo nuk reflektohet automatikisht në çmimin e furnizimit, atëherë ndërhyrja e Ministrisë mund të jetë tek marzha e fitimit”, tha Jakurti.

Megjithatë, rënia e çmimeve të naftës në bursat ndërkombëtare po reflektohet në mënyrë të ngadaltë në tregun e Kosovës.

Por, kryeinspektorja e tregut në Ministri të Tregtisë, Lebibe Haliti, ka thënë se çmimi në pika të karburanteve është reflektimi i çmimeve të furnizimit.

“Çmimi i dizelit caktohet me mesataren e çmimeve për litër me të cilat janë importuar 10 milionë litrat e fundit me evidencë ditore nga Dogana e Kosovës. Çmimit mesatar të furnizimit i shtohen edhe 12 centë fitim”, u shpreh Haliti.

Edhe kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, thotë se rënia në bursë po reflekton në çmimin në treg.

“Çmimin po e përcakton Ministria. Ne nuk jemi të kënaqur me këto çmime, pasi aty nuk përfshihet marzha e fitimit prej 12 centë siç përcaktohet në vendim. Edhe me ligj ne si shoqatë duhet të jemi anëtarë të komisionit për rregullimin e çmimit”, pohoi Berjani.

Sipas të dhënave të Doganës, rreth 168 milionë euro janë mbledhur taksa nga importi i naftës gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti.