Arbëri

Analistët serbë: Videoja e Radojçiqit kundërpërgjigje ndaj VV-së, përgatit terrenin për trazira

Kundërpërgjigje ndaj videos së Lëvizjes Vetëvendosje e përgatitje të terrenit për dhunë e tensione në veri të Kosovës, po shihet nga analistë serbë mesazhi i nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiq.

Të martën, nënkryetari i Listës Serbe publikoi një video në YouTube. Ai ka thënë se është kthyer në Kosovë dhe se “s’ka më kthim prapa”. Videoja ka bërë bujë pasi që dy urdhërarreste ndaj tij janë ende aktive në Kosovë. Arrestimi i tij po kërkohet për rastet “Brezovica” dhe atë të vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviq.

Aleksandar Arsenijeviq nga Iniciativa Serbe për Mbijetesë, nga veriu, ka thënë se videoja e Radojçiqit është publikuar për të rritur tensionet dhe për ta përgatitur terrenin për konflikte e protesta të kontrolluara.

“Duhet t’u them qytetarëve se ne jemi në Shtërpcë, Graçanicë, Gjilan... dhe të gjitha qytetet e veriut për ta mbrojtur çdo jetë nga pavarësisht kush dëshiron ta marrë”, ka thënë Arsenijeviq për gazetën serbe “Danas”, duke shtuar se serbët e kanë mbrojtur gjithmonë vetveten.

Milica Andriq-Rakiq nga Iniciativa e Re Shoqërore ka thënë se, edhe pse në linjë me thirrjet e Beogradit, mesazhi i Radojçiqit është më shumë kundërpërgjigje për videon e publikuar në fundjavë nga Lëvizja Vetëvendosje për integrimin e veriut.

“Fakti që personi i kërkuar nga Policia e Kosovës mund të incizojë një video në Leposaviq direkt mohon pretendimet për vendosjen e rregullit në veri, mbylljen e rrugëve alternative dhe rezultatet tjera për të cilat mburret Kurti. Si i tillë, videomesazhi do të ketë më shumë ndikim në opinionin në komunitetin shumicë sesa në komunitetin serb, pra Kurti ndoshta do të përballet me më shumë kritika”, ka thënë ajo.

Andriq-Rakiq ka thënë se Radojçiqi është parë edhe në të kaluarën si figurë kyçe “në mbrojtjen e serbëve”. Por sipas saj, kurdo që ka pasur tensione në veri, ato kanë ndodhur papritmas e pa paralajmërim.

“Fillimisht, ditë më parë, presidenti Aleksandar Vuçiq, foli se si do të shpërthejë një luftë dhe për persekutimin e serbëve nga veriu i Kosovës për shkak të targave të veturave dhe tani ai duket se çoi njeriun e tij për operacione speciale për të përshpejtuar procesin e zhvendosjes së popullit”, ka thënë Miroslav Paroviq, president i Lëvizjes Popullore Liridashëse.

Paroviq ka thënë se sjelljet e fundit janë të “logjikës së viteve të ’90-a në të cilat ‘heronjtë’ si Arkani”.

Sociologu Jovo Bakiq ka thënë se Radojçiqi dhe Zvonko Veselinoviqi “udhëheqin bashkë veriun e Kosovës në emrin e regjimit autoritar-mafioz”.

“Ata kanë ndërmarrje të përbashkët që siguron punë nga kompanitë publike dhe që u shërben për të pastruar para”, ka thënë Bakiq.

Sipas tij, “ata i mbajnë serbët në veri të frikësuar, sidomos pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, sepse kjo tregonte se tregon se kushdo mund të ishte cak”.

“Mesazhi i fundit e konfirmon këtë. Gjithsesi, ata s’mund të bëjnë asgjë ndaj shqiptarëve nën mbrojtjen e NATO-s, andaj kërcënimi për dhunë është sikur të nxjerrësh armën e zbrazur për të frikësuar e disiplinuar serbët”, ka përfunduar ai.

Politikania serbe, Rada Trajkoviq, “rikthimin” e Radojçiqit e pa si fatkeqësi për serbët. Ajo krahasoi videon me parodi të presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky për shkak të ngjashmërisë në veshje. Sipas saj, mesazhi i Radojçiqit ishte thirrje për NATO-n.

“Radojçiqi, edhe pse një njeri me profil ekstremisht problematik, sigurisht që i kalon më lehtë kontrollat policore serbe sesa unë”, ka thënë ajo duke shtuar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka “përgjegjësitë dhe meritat” për krijimin dhe shndërrimin e Radojçiqit dhe të tjerëve në liderë të serbëve të Kosovës.

Në videon e së martës, Radojçiqi me tone kërcënuese paralajmëroi veprime nga ana e tij.

“Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, më lejoni t’ju them, edhe të tjerëve, unë jam këtu. Jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë, sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, u shpreh nënkryetari i Listës Serbe.

Pos dy urdhërarresteve aktive, Radojçiqi muaj më parë arriti t’i ikte Policisë Kufitare.

Institucionet e Kosovës kanë zgjedhur të heshtin karshi mesazhit të përçuar nga ai.