Arbëri

Aksion në Shtërpcë për sekuestrimin e kamerave të strukturave ilegale

Policia e Kosovës ka nisur një aksion në Komunën e Shtërpcës të enjten në mëngjes. Siç ka konfirmuar prokurori Rasim Maloku për KOHËN, aksioni po zhvillohet për sekuestrimin e dokumentacionit dhe pajisjeve në objektin e strukturave ilegale.

Ai tutje ka shtuar se gjithashtu janë duke u bastisur edhe tri lokacione ku janë të vendosura pajisjet për monitorim të kamerave të sigurisë nga strukturat ilegale.

“Jemi duke zbatuar një urdhëresë të gjykatës për kontroll dhe sekuestrim të dokumentacionit dhe pajisjeve në objektin e strukturave ilegale, si dhe tri lokacione ku janë të vendosura pajisjet për monitorim të kamerave të sigurisë nga strukturat ilegale”, ka thënë Maloku.

Autoritetet paralele serbe në Kosovë në fund të vitit të shkuar mësohet se patën nënshkruar kontratë dhjetëra mijëra euroshe për të blerë disa kamera të sigurisë, incizues digjitalë dhe pajisje të tjera nga kompani “Zhejiang Dahua Technologies”, që është pjesë e listës së zezë amerikane.

Ndaj aksionit ka reaguar Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Ajo ka thënë se qëllimi i aksionit është frikësimi dhe maltretimi i serbëve. Sipas komunikatës, policia ka hyrë në një shkollë fillore në Brezovicë dhe ka kontrolluar ndërtesën “e komunës” e cila funksionon në sistemin serb.