Arbëri

Lista Serbe e quan “kërcënim me vdekje” komentin e Rexhajt për kërcënimin e Radojçiqit

Lista Serbe e cilësoi “kërcënim me vdekje” komentin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Arbër Rexhaj për kërcënimin e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiq, kur tha se “Kam ardhur në Kosovë dhe s’ka kthim prapa”.

Rexhaj shkroi në Facebook të mërkurën se Radojçiqi “ose po do të martirizohet, ose të arrestohet, ose të nis kryengritje të serbëve ku ai e përjeton një nga dy të parat”.

Lista Serbe tha se kryeministri Albin Kurti, do të duhej ta thërriste për sqarime deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe t’i kërkonte përgjegjësi.

“Këto kërcënime me vdekje, nëse do të kishte rend dhe ligj, do të duhej të shqyrtoheshin e të thirrej për përgjegjësi deputeti i Kurtit. Por pasi që serbëve në ‘Kosovë dhe Metohi’ e drejta për drejtësi u është mohuar me dekada, fatkeqësisht edhe ky kërcënim do të mbetet pa sanksione nga organet kompetente”, thuhet në komunikatën e lëshuar në Facebook.

LS-ja deklaroi se autoritetet kosovare pos që ua mohuan serbëve përdorimin e dokumenteve serbe, “ato dërgojnë forca speciale të armatosura në mjediset serbe çdo ditë”.

Videon e publikuar të martën nga Radojçiqi ku tha se është në Kosovë dhe “s’ka më kthim prapa”, Lista Serbe e quajti mbështetje për popullin serb.

Kjo deklaratë e Radojçiqit, i kërkuar nga drejtësia në Kosovë dhe i futur në listën e zezë të SHBA-së, nga politikanë e ekspertë është vlerësuar si kërcënim.

“Deklarata e nënkryetarit Radojçiq është e shkurtër dhe e qartë, e sinqertë dhe me peshë, pasi ai është njëri që mban fjalën. Për këtë, te serbët ka ngjallur trimëri dhe përkrahje, kurse në Prishtinë, tek ata që duan t’i dëbojnë serbët ka nxitur nevojë për ta kërcënuar me vdekje”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

 

Ky ose po don të martirizohet, ose të arrestohet, ose të nis kryengritje të serbëve ku ai e përjeton një nga dy të parat.

Posted by Arber A. Rexhaj on Wednesday, July 6, 2022