Arbëri

Haxhiu: Tema e dialogut më së paku e diskutuar në Kuvend gjatë kësaj legjislature

Agnesa Haxhiu nga KDI ka thënë se tema e dialogut Kosovë-Serbi është tema më pak e diskutuar në Kuvendin e Kosovës gjatë legjislaturës së 7-të. Sipas saj, Kuvendi nuk e ka rolin e tillë siç proklamonte Lëvizja Vetëvendosje para se ta merrte pushtetin.

Haxhiu shtoi se që nga fillimi i legjislaturës ka pasur shumë pak interesim për çështjen e dialogut.

“Mendoj që jo, nuk e di nëse ka mungesë të vullnetit nga opozita që ta bënë një gjë të tillë sepse shumica nuk do ta bëjë sigurisht, por tema e dialogut prej fillimit të kësaj legjislature është tema që është diskutuar më së paku në Kuvend. A është për shkak se dialogu në përgjithësi është stopuar, apo është problemi që opozitës nuk po i duket temë më të cilën mund ta sfidojë qeverinë, nuk di. Është nga temat më pak të diskutuara në Kuvend prej marsit 2021 deri tash. Ka shumë pak interpelanca, shumë pak pyetje parlamentare, shumë shumë pak interesim që kjo temë të diskutohet”, tha ajo.

Haxhiu ka thënë se puna e Kuvendit të Kosovës për gjashtë muajt e parë të vitit është sfiduar nga mungesa e përgjegjësisë së deputetëve dhe udhëtimet e shpeshta të tyre.

Në Interaktiv të KTV-së ajo shtoi se këto probleme e kanë vënë në pah atë të mungesës së kuorumit gjatë seancave plenare.

“Kuvendi është sfiduar nga mungesa e përgjegjësisë individuale. Detyra e tyre më bazike është pjesëmarrja që shpesh po e shohim se as këtë nuk po e bëjnë. Të gjitha deputetët në 45 seanca deri tash kanë munguar 669 herë. Diku 16 deputetë për secilën seancë që kanë munguar i bie me një mesatare. Një problem tjetër janë edhe udhëtimet e shpeshta të deputetëve. Konsiderojmë se shumicën e rasteve udhëtimet e tyre janë pa një agjendë të qartë dhe rrallë ka informata se çfarë kanë prodhuar ato udhëtime”, tha ajo.

Haxhiu tregoi se Kryesia e Kuvendit ka vendosur që ta rishqyrtojë dhe të draftojë një rregullore që përcakton mënyrën si do të zhvillohen udhëtimet jashtë vendit. Sipas gjetjeve të KDI-së, ka pasur shumë udhëtime të deputetëve jashtë vendit.

“Ka edhe pakënaqësi mes deputetëve se kush udhëton më shumë jashtë vendit. Shumë nga deputetët udhëtojnë sepse marrin një ftesë nga dikush nga një shtet dhe edhe në mbledhje të kryesisë është theksuar që jo çdo ftese nga jashtë duhet t’i përgjigjemi pozitivisht”.