Arbëri

Qeveria voton Projektligjin që e bën të obligueshëm edukimin parafillor

Nga viti shkollor 2023-2024, edukimi parafillor në Kosovë do të bëhet i obligueshëm sipas një projektligji të votuar të hënën nga Qeveria, ka njoftuar të hënën ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Kjo është një ndër pikat e Projektligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, që është votuar në mbledhjen e fundit të kabinetit qeveritar, të mbajtur më 4 korrik.

“Ky projektligj do të përfshijë: Koordinim ndërsektorial, edukim në familje, ushqyeshmëri, Krijim të menyve ushqimore, sigurim e rregullim të materialit didaktik, monitorim të punës edukative, aftësim i dadove, nga viti shkollor 2023-2024 Edukimi Parafillor do të bëhet i obliguar”, ka njoftuar Nagavci.

Me miratimin e këtij projektligji, sipas saj shënohet edhe një hap drejtë zhvillimit të përgjithshëm të sistemit edukativ e arsimor, social e ekonomik.

“Investimi në fëmijërinë e hershme garanton të nesërme më të sigurt për fëmijët, familjet dhe gjithë vendin”, ka shtuar ajo.