Arbëri

Shteti nuk ua njeh diplomat pensionistëve si arritje profesionale

Descriptive Text

Diploma universitare, me të cilën kanë punuar gjatë tërë jetës së tyre, pensionistëve nuk iu njihet si arritje profesionale nga Ministria e Punës për të përfituar pensionin kontribuues. Pensionistët kërkojnë që legjislacioni të ndryshohet. Edhe juristët e quajnë diskriminues dhe kundërthënës legjislacionin aktual. Në Ministrinë e Punës kanë thënë se janë duke punuar për ndryshim, mirëpo ende nuk kanë hartuar as draft fillestar

Kamer Zogaj punoi për tri dekada si mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën fillore “Rifat Berisha” në fshatin Berishë të Komunës së Malishevës. Kur u pensionua në vitin 2021 e kuptoi se diploma që i është njohur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk i njihet si arritje profesionale nga Ministria e Transfereve, Punës dhe Financave.

Kjo, pasi me Udhëzimin Administrativ për kategorizimin e shfrytëzuesve të pensionit kontributpagues, diplomat e lëshuara mes viteve 1991-1999 nuk njihen nga shteti si arritje.

“Kur e dërgova dokumentacionin për shqyrtim, më telefonuan dhe më kërkuan ta sjell diplomën e shkollës të mesme, unë pastaj reagova, i pyeta pse diplomën e shkollës të mesme, kur e keni në dosje diplomën e shkollës së lartë me të cilën kam punuar me vite të tëra në arsim dhe jam paguar me shkollë të lartë”, tregoi Zogaj, që diplomoi në vitin 1992 në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë.

Sipas tij, shteti nuk po i mbron pensionistët të cilët kanë dhënë kontribut për arsimin.

“Kam punuar në ato vite të luftës dhe ndihem vetën krenar që kam dhanë sado pak kontribut pa para, një kohë bukur të gjatë. Ndërsa tani ajo nuk vlerësohet aspak”, ka thënë ish-mësimdhënësi.

Pensionin me shkollim superior nuk arriti ta marrë as ish-mësimdhënësi nga Komuna e Drenasit, Bajram Maloku. Ish-mësimdhënësi i lëndës së edukatës qytetare në shkollën fillore “Rilindja”, ka thënë se si arsyetim nga Ministria për refuzim të kërkesës për pension superior i është thënë se përvoja e tij profesionale nuk daton para vitit 1999. Ai e quajti këtë zhgënjyese.

Maloku tha se ka diplomuar qysh në vitin 1988 në universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, por nuk ka arritur të punësohet deri pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, për shkaqe politike.

“Nuk mund të matet ky zhgënjim me asgjë. Kemi themeluar marrëdhënie pune me diplomë universiteti, jemi paguar me diplomë universiteti, jemi pensionuar me diplomë universiteti, ndërsa ne sot nuk i marrim 50 euro, sikur pensionistë me fakultet në pensionin kontribuues", ka thënë Maloku.

Sipas legjislacionit në fuqi, aplikuesit duhet të kenë stazh pensional kontributdhënës së paku pesëmbëdhjetë vjet para datës 1.1.1999.

Të dy mësimdhënësit kërkojnë që legjislacioni të ndryshohet. Zogaj kërkoi nga Ministria e Arsimit që të reagojë për mosnjohjen e diplomave.

"Mendoj, fajtor kryesor është ai që e lëshon diplomën, Ministria e Arsimit, që nuk i mbron diplomat e veta, ndoshta e kam gabim, por ajo duhet ta ngrejë zërin, sepse të gjithë janë të njohur me këtë problem”, ka thënë ai.

ka dërguar pyetje në Ministrinë e Arsimit për të parë nëse janë duke punuar në zgjidhjen e mosnjohjes së diplomave gjatë viteve 1991-1999 dhe stazhit profesional, mirëpo deri të dielën nuk ka kthyer përgjigje.

Juristi në Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Rajonal, Anton Nrecaj, e vlerëson diskriminues legjislacionin për pagesën e kontributeve dhe stazhit profesional. Ai ka thënë se vendosja e kritereve që diploma të jetë para vitit 1991, ndërsa stazhi profesional para vitit 1999, janë kundërthënëse.

“Pjesa diskriminuese është që ka pasur raste të tilla ku për dy javë qytetari nuk e ka plotësuar këtë kriterin prej 15 vjetëve dhe automatikisht është refuzuar. Nga ana tjetër, udhëzimet administrative janë kundërthënëse njëra me tjetrën, bien ndesh nga një anë dhe nga ana tjetër janë diskriminuese për shkak se ua mohon të drejtën qytetarëve duke mos i njohur disa diploma”, ka thënë Nrecaj.

Në Ministrinë e Punës kanë thënë se çështja do të adresohet në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.

Musa Demiri, zëdhënës në këtë ministri, tregoi se ende nuk kanë hartuar asnjë draft në lidhje me këtë çështje.

“Sa u përket ankesave, të tilla ka pasur në fillim të zbatimit të Udhëzimit Administrativ 09/2015 që rregullon këtë çështje, por palët janë njoftuar dhe pajtuar se kështu është vendosur në bazë të legjislacionit primar dhe atij sekondar dhe se ndryshe nuk mund të veprohet. Në planin legjislativ për vitin 2022 është paraparë që të amendamentohet edhe Ligji 04/131 për skemat pensionale të financuara nga shteti dhe me siguri se do të adresohet edhe çështja e njohjes së diplomave pas vitit 1991”, ka thënë Demiri.

Ky projektligj sipas planin legjislativ të Qeverisë është paraparë të dërgohet në Kuvend në fund të muajit nëntor të këtij viti.

Personat në Kosovë që kanë punuar dhe kanë paguar kontribute pensioni për të paktën 15 vjet para luftës tani marrin pensione që sillen nga minimumi 158 euro deri në 230 euro maksimumi, sipas nivelit të edukimit.