Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se do të punojë për të rikthyer PDK-në në qeverisje.
Teksa ka treguar për misionin e tij si kryetar, pas një viti që kur është përzgjedhur në krye të partisë, Krasniqi ka thënë se tenton ta ringrisë dhe fuqizojë PDK-në në mënyrë që të zhvillohet vendi.
“Gjatë këtij viti në krye të PDK-së, kemi punuar shumë bashkë me secilin anëtar e aktivist, përbrenda çdo niveli të organizimit, që gjithandej Kosovës ta shtrijmë përsëri vizionin tonë - për Kosovën e qytetarëve, të zhvilluar, të integruar e me perspektivë për të gjithë. E nisëm me fitoren në zgjedhjet lokale, duke fituar në 8 komuna e duke dalë partia e parë ne 10 komuna. Rikthyem besimin qytetar në Prizren, Mitrovicë, Skenderaj, Vushtrri e Han të Elezit dhe e rinkonfirmuam atë në Ferizaj, Drenas e Kaçanik”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai më tej ka thënë se si parti lidere e opozitës, PDK-ja është angazhuar aktivisht në Parlament, duke ngritur e mbrojtur çështje e kauza konkrete “në dobi të qytetarëve dhe të kategorive shoqërore të injoruara nga pushteti aktual”.
“Si një platformë e ofrimit të alternativës qeverisëse, iniciuam Kabinetin për Qeverisje të Mirë. Ekspertë të fushave të ndryshme po i bashkohen kësaj platforme tonë për një Kosovë më të mirë, me qeverisje kompetente e efikase. Puna dhe angazhimi ynë do të vazhdojë në çdo nivel të organizimit tonë strukturor, në Kuvend, në Komuna e në Kabinetin për Qeverisje të Mirë”, ka shtuar ai.