Arbëri

2 Korriku shënohet pa organizim institucional – delegatët kritikojnë institucionet

Më 2 korrik të vitit 1990 Kosova është shpallur njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. Me emocione delegatët e kujtojnë këtë datë historike gjersa kritikojnë institucionet për harresë. Kryeparlamentari e presidentja e kanë çmuar lart kontributin e tyre, por kësaj radhe pa ndonjë organizim institucional

Muharrem Shabani me emocione ka kujtuar 2 Korrikun, ditën kur 32 vjet më parë kishte lexuar Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës, të hartuar, të nënshkruar e të miratuar së bashku me 113 delegatët e tjerë.

Deputeti i asaj legjislature të Kuvendit ka treguar për rrethanat e vështira të kohës, nën të cilat miratuan vullnetin e popullit për shpalljen e Kosovës Republikë.

“Situata atëherë… si edhe sot që është dita shumë e nxehtë, por edhe atëherë ka qenë ndoshta edhe më e nxehtë, sepse snajperët kanë qenë në të gjitha anët. Policia serbe ishte në të gjitha anët, por kishim një fuqi të madhe, sepse kishim përkrahjen e popullit nga të gjitha viset që kishin ardhur atë ditë, që deklaronin: ‘Jemi me juve bashkë’… çka të ndodhë, me juve jemi. Po ashtu, thoshin një pjesë e madhe e milicisë së atëhershme shqiptare, që ishin rrethi i dytë. Prandaj, situata e përgjithshme politike dhe e sigurisë në Kosovë ishte në një gjendje të jashtëzakonshme”, ka thënë Shabani.

Ai ka treguar se skenarin për atë ditë e kishin përgatitur ditë më parë, duke u bërë gati edhe për të papriturat.

“Ne bile herët në mëngjes, nëpërmjet disa punëtorëve shqiptarë i kishim futur deklaratat kushtetuese, materialet që nevojiteshin për seancë, por nuk mundnim t’i merrnim. Prandaj u detyruam, Bujari, Adem Mikullovci të shkojnë aty afër, në ndërtesën e Bankës Popullore (sot Qeveria) dhe t’i shumëzojmë… Kishte edhe ide që në qoftë se shtyhet seanca, se përreth kishte snajperistë mbi ndërtesën e Qeverisë dhe të tjera, dhe prisnim që të shtinin, në qoftë se bie unë, për shembull, ishte skenari të vazhdojë tjetër dikush, e tjetër, kështu me radhë derisa kjo të kryhet. Por për fat ato nuk ndodhën”, ka treguar tutje Shabani.

Lexuesi i Deklaratës së 2 Korrikut thotë se në atë periudhë kauza kryesore ishte Kosova dhe se kishte unitet ndërpartiak e ndërqytetar që, sipas tij, mungon sot.

Nazmi Kelmendi kishte mbledhur nënshkrimet për të ditur kuorumin e asaj dite. Thotë të jetë kënaqësi e veçantë t’i takojë asaj gjenerate.

“Dihet në çfarë rrethana kemi qenë, pas bllokimit të foltores nga ana e kolegëve tanë serbo-malazezë dhe të tjerëve. Ishte një kënaqësi që kemi arritur me e çua atë amanetin e kërkesave të popullit të Akademisë së Shkencave dhe i kemi dhënë gur themel shtetësisë dhe shtetit të Kosovës, që pasuan pastaj shpalljen e Kushtetutës në Kaçanik edhe akteve të tjera, referendumi, deri te shpallja e zgjedhjeve të para parlamentare të vitit 1992”, ka thënë Kelmendi.

Fiks 32 vjet më pas, Shabani e Kelmendi të shtunën janë takuar me një pjesë të kolegëve nga ajo legjislaturë. Janë bërë bashkë me vetiniciativë, e jo nëpërmjet ndonjë aktiviteti të organizuar nga institucionet e vendit, gjë për të cilën i kritikojnë ato.

“Kur i shoh këto skena të 2 Korrikut, emocionohem shumë, sepse figura që gjenden rreth meje aty, më nuk janë në mesin e së gjallëve dhe mendoj që institucionet është dashur të kenë një trajtim të caktuar ndaj atyre njerëzve që asnjëherë nuk e kanë vënë veten përpara, kanë vënë veten edhe në rrezik, dhe rrethanave që kanë qenë”, është shprehur Shabani.

Kelmendi ka kujtuar faktin se një pjesë e tyre tashmë më nuk janë në jetë.

“Për çudi, sivjet nuk kemi pasur ndonjë organizim institucional, nuk i dimë arsyet pse. Dhe, kishim pasur dëshirë që të mos harrohen ato data, sepse një numër i kolegëve tanë kanë ndërruar jetë. Katërdhjetë e katër nga 111 deputetë, më nuk janë në jetë. Një shumicë e madhe janë invalidë dhe nuk mund të dalin nga shtëpia, sepse i kanë afër 90 vjet. Por, besoj që viteve tjera, dhe 7 shtatori të shënohet ashtu ku e kemi vendin, edhe ne së bashku me deputetët e Parlamentit të Kosovës”, ka thënë nënshkruesi i Deklaratës.

2 Korrikun Komuna e Prishtinës e shënon në kuadër të manifestimit “Prishtina e përjetimeve”, që ka për qëllim që nëpërmjet muzikës të promovojë datat e rëndësishme te gjeneratat e reja.

“Si koincidencë po fillojmë me rrugën ‘2 Korriku’, më 2 Korrik edhe me orkestrën ‘2 Korriku’. Dita e Deklaratës Kushtetuese të Kosovës do të festohet këtë edicion më ndryshe. Kemi përzgjedhur rrugën, e cila mban emrin e datës historike, kemi përzgjedhur datën dhe bendin”, ka thënë Pëllumb Bajqinovci, këshilltar komunal.

Ani se nën patronazhin e tyre nuk u organizuan ngjarje dhe aktivitete, këtë përvjetor, krerët e shtetit e kujtuan nëpërmjet rrjeteve sociale.

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e kryeparlamentari Glauk Konjufca, çmuan lart vullnetin dhe kontributin e delegatëve, për vënien e themeleve të Kosovës së pavarur.

“Akti i miratimit, i cili u zhvillua para dyerve të ndërtesës së Kuvendit dhe në kushte shtetrrethimi nga forca të mëdha policore e ushtarake serbe, shënoi de jure pikënisjen e pavarësimit të Kosovës nga Serbia pushtuese. Ky hap themeltar ishte i një rëndësie historike, sepse iu parapriu proceseve dhe ngjarjeve të tjera madhore deri te pavarësia e Republikës së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt të vitit 2008. Në kujtim të 32-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese i përkulemi me pietet aktit patriotik të delegatëve që çuan në vend vullnetin gjithëpopullor për liri e mëvehtësi, luftës së lavdishme të UÇK-së dhe përpjekjeve e sakrificave të shumë brezave për ta bërë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”, ka shkruar Konjufca në llogarinë e tij në Facebook.

2 Korrikun e ka kujtuar dhe uruar edhe Presidenca.

“Më tepër se tri dekada më parë, gra e burra patën guximin që Kosovës t`ia japin drejtimin e duhur, ta krijojnë bazën për subjektivitet të shtetit në ardhje, ndaj në këtë përvjetor falënderoj secilin që vuri një gur në projektin tonë historik për shtet. Themelet e shtetit janë ngritur mbi vendimin e delegatëve të 2 Korrikut, ndaj sot Kosova është shtet i pavarur, i lirë dhe sovran! Urime 2 Korriku! Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe popullin e saj!”, ka thënë Osmani.

Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar ka mbajtur seancë solemne për shënimin e 31-vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990. Në këtë ditë historike Kosova është shpallur njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.

Lidhur me mungesën e organizimit, KOHA ka dërguar pyetje ne Qeveri e Kuvend, por përgjigje nuk ka marrë.