Arbëri

99 të porsalindur u infektuan në spital në 6 muajt e parë të 2022-s

Foto: Ilustrim

Vetëm gjatë qershorit 16 të porsalindur janë infektuar në spital, kryesisht shkaku i kontaktit të tyre me papastërti, si rezultat i procedurave invazive apo edhe nga duart e kontaminuara të mjekëve, bëhet e ditur nga shifrat e Klinikës së Neonatologjisë. Drejtoresha e kësaj klinike ka renditur mungesën e stafit si një ndër shkaqet kryesore që pamundëson kujdesin maksimal ndaj foshnjave.

Saktësisht 99 foshnja të porsalindura morën infeksione spitalore në Klinikën e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në gjashtë muajt e parë të vitit.

Në atë gjashtëmujor, sipas të dhënave të kësaj klinike, marsi ishte muaji me më së shumti infektime, gjithsej 30, derisa në qershor u shënuan 16 raste.

Tri nga bakteret më të zakonshme që kanë shkaktuar infeksione janë stafilokoku aureus, acinetobakteria bauman dhe klebsiella pneumonia. Dy të fundit mund të barten nga personi në person kryesisht nëpërmjet duarve të kontaminuara të mjekëve, si dhe stafilokoku aureus mund të merret gjatë procedurave invazive të personelit mjekësor, ose edhe nëpërmjet pajisjeve mjekësore të kontaminuara si kateterat apo nga ventilimi mekanik.

Drejtoresha e Neonatologjisë ka përmendur disa nga arsyet që shkaktojnë rritje të rasteve të infektimit.

“Ajo që e kemi problem të cilin vazhdimisht tentojmë ta adresojmë është personeli i mesëm, i cili nuk është në numër optimal. Madje, kemi shumë nevojë për shtimin e numrit të infermiereve, për t’i arritur këto standarde, për ofrim të shërbimeve më cilësore. Kemi nevojë për trajnime për incerimin e vijave të thella dhe për ushqim parenteral, të cilin ne ende nuk e bëjmë në klinikën tonë”, ka thënë Hajrije Ismajli.

Në një raport të vitit të kaluar të Inspektoratit Sanitar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Klinikën e Neonatologjisë ishin gjetur disa probleme me pastërtinë, si mungesën e mjeteve higjienike, mungesën e ventilimit adekuat dhe papërgjegjësinë sanitare të stafit shëndetësor.

“Edhe një vërejtje që është dhënë për Klinikën e Neonatologjisë ka qenë edhe stafi mjekësor, është hasur duke dalë dhe hyrë me të njëjtat veshje, duke vizituar kafet apo restorantet jashtë dhe me ato rroba të njëjta kanë hyrë”, ka thënë zëdhënësi i AUV-së, Lamir Thaçi.

Por, drejtoresha thotë se në Klinikën që drejton nuk kanë evidentuar raste të tilla, kur mjekët dalin e hyjnë me rrobat e njëjta.

“Në Klinikën e Neonatologjisë edhe kur kemi qenë në kujdesin intensiv të vjetër neonatal, edhe në kujdesin e ri intensiv neonatal, ka rregulla strikte për kodin e sjelljes, veshjes dhe nuk jam e sigurt nëse kemi evidentuar raste të cilat dalin me uniformë jashtë”, ka thënë ajo.

Pavarësisht infektimeve, shkalla e vdekshmërisë së të porsalindurve, përfshirë edhe komplikimet e tjera me të cilat kanë lindur, është ulur në 13.6 për qind sivjet, krahasuar me vitin e kaluar që ishte 16.8 për qind.