Arbëri

Bilek: Liberalizimi i vizave, lart në agjendë gjatë Presidencës së Çekisë

Ambasadori i Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek, ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën, do të jetë ndër prioritetet në agjendë, gjatë kryesimit të Këshillit të Evropës nga Çekia, e cila ka nisur më 1 korrik.

Sipas tij, prioritet do të jetë edhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

“Ballkani Perëndimor do të jetë prioritet duke mbështetur procesin e anëtarësimit. Liberalizimi lartë në agjendë gjatë presidencës së Çekisë. Po ashtu edhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Bilek, gjatë prezantimit të prioriteteve të Çekisë gjatë këtij kryesimit, të bërë në Prishtinë të premten.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret bashkëpunimin e Bashkimit Evropian në përgatitjen e aplikimit për anëtarësim në këtë organizatë.

“Kosova në vijë me BE-në vendosi sanksione ndaj Rusisë dhe strehoi gazetarët. Kjo presidencë ka agjendë të ngjeshur dhe temat kërkojnë punë të forte dhe qëndrueshmëri. Nuk i ndajmë vetëm kufijtë me BE-në por edhe historinë dhe vlerat e përbashkëta. Kemi pritje të mëdha që të mbyllet çështja e liberalizimit dhe t'i jepet fund izolimit. Po ashtu presim bashkëpunim në përgatitjen e aplikimit për anëtarësim në BE”, ka thënë Kurti.

Presidentja, Vjosa Osmani, ka thënë ndërkaq se janë të lumtur që aplikimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat do të ndodhë gjatë presidencës çeke.

“Jemi të lumtur që aplikimi për statusin e vendit kandidat do të ndodhë gjatë presidencës ceke. Dëshira historike për tu bashkuar në BE është e njohur por duhen hapa dhe udhërrëfyes konkret për të arritur atje. Sa i përket vizave kemi përmbushur të gjitha kriteret tani i takon BE-së të vendos”, është shprehur Osmani.

Ndërkaq, Tomas Szunyog, shefi i BE-së për Kosovë, ka thënë se BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin.

“Për ne politika e zgjerimit ështe investim gjeostrategjik dhe BE nuk është e plotë pa Ballkanin. Po presim hapin final për liberalizimin e vizave për Kosovën, pasi janë përmbushur të gjitha kriteret”, ka deklaruar ai.

Çekia, nga 1 korriku, mori kryesimin e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, që zgjat deri në fund të këtij viti.

Në gjashtë muajt paraprakë, në këtë pozitë ishte Franca.