Qytetarët e Kosovës janë më optimistë sesa ata serbë sa i përket dialogut për normalizim marrëdhëniesh ndërmjet dy vendeve, thonë rezultatet e sondazhit të realizuar së fundmi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Sondazhi, i cili është realizuar në Kosovë dhe Serbi lidhur me dialogun, ka nxjerr rezultate interesante, ka thënë të mërkurën në Interaktiv të KTV-së, Violeta Haxholli, hulumtuese në KDI.
Sipas saj, ka edhe pyetje në të cilat përgjigjet kanë qenë përafërsisht të njëjta si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.
“Rezultatet kanë qenë shumë interesante, ka një skepticizëm më të madh te qytetarët e Serbisë sa i përket çdo aspekti të dialogut, ndërkaq ata të Kosovës janë më optimistë. Në disa pika ka të përbashkëta, si te pyetja e parë ku afro gjysma e qytetarëve të të dyja vendeve thonë që dialogu nuk i ka përmirësuar raportet mes Kosovës e Serbisë, por që as nuk janë përmirësuar e as keqësuar sipas tyre. Qytetarët e Kosovës mendojnë që Qeveria e Serbisë po përfiton më shumë nga dialogu, ndërkaq qytetarët në Serbi janë shprehur se nuk e dinë se kush po përfiton më shumë nga dialogu”, ka thënë Haxholli.
Ajo ka shtuar se në krijimin e perceptimeve të tilla ndaj dialogut ka ndikuar shumë elita politike në të dy vendet.
Sa i përket pyetjes së sondazhit se kush është fajtor për mungesën e progresit në dialog, Haxholli ka thënë se edhe këtu ka pasur përgjigje që e kanë befasuar KDI-në.
“Qytetarët në Kosovë e fajësojnë Qeverinë e Serbisë për mungesë të progresit në dialog, ata në Serbi e fajësojnë BE-në, ndërkaq serbët e Kosovës e fajësojnë Qeverinë e Kosovës për mungesë të progresit në dialog. Tani është momenti edhe koha që edhe pse me vonesë, Qeveria e Kosovës duhet ta fuqizojë komunikimin me komunitetin serb në Kosovë”, është shprehur ajo.
Sondazhi është realizuar nga 10 deri më 19 qershor, me mbi 2.000 të anketuar të moshës mbi 18 vjeç, në Kosovë e Serbi.