3 perditesime
10:30

Lajçaku paralajmëron se së shpejti mund të ketë marrëveshje të reja Kosovë-Serbi

Tash na nevojitet vendimi i nivelit politik, ka thënë emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kur ka deklaruar në Prishtinë se në kuadër të dialogut janë “edhe disa dokumente të tjera në faza të finalizuara”.

Në konferencën në fund të vizitës treditëshe, Lajçaku ka vlerësuar lartë marrëveshjen e arritur për udhërrëfyesin mbi marrëveshjet e mëhershme për energjinë në veri. Teksa ka folur edhe për diskutimet e gjata për marrëveshjen për targat, Lajçaku ka paralajmëruar marrëveshje të reja. Ka thënë se “duhet të vlerësojmë secilën marrëveshje që është arritur e të mos kritikojmë vetëm ato që nuk janë arritur”.

I pyetur për deklaratën se Kosova e Serbia s’mund të bëhen pjesë e BE-së pa e njohur njëra-tjetrën, Lajçaku ka thënë se “kjo është arsyeja pse nevojiten takime të rregullta që të përkufizohet se çfarë nënkupton normalizimi i plotë i marrëdhënieve dhe si të arrihet”.

Sipas tij, deklaratat e palëve që të përkufizojnë synimet në fillim të procesit s’duhet të mbidramatizohen.

Në fund ka përsëritur shpresën që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të takohen së shpejti e që takimi të jetë produktiv.

Po ashtu ai ka thënë se mandati i është zgjatur për dy vjet.

10:13

Lajçaku për Asociacionin: Për atë që ka pasur pajtim, duhet të ketë zbatim

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është zotim të cilin e ka pranuar Kosova dhe se për këtë duhet që ajo të zbatohet.

Sipas tij, Asociacioni s’është kërkesë e Brukselit, por “diçka që janë pajtuar Kosova me Serbinë”.

“Është zotimi të cilin e ka pranuar Kosova, përfshirë këtu ratifikimin në Kuvend. Për këtë arsye ka një parim të mirënjohur që thotë se për atë që është pajtuar duhet të zbatohet. Kjo nuk është diçka që Brukseli e kërkon por që janë pajtuar Kosova me Serbinë”, ka thënë ai.

10:02

Lajçaku kërkon takim Kurti-Vuçiq para pushimeve verore

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka shprehur kërkesën për një takim në nivel të lartë para pushimeve të verës në Bruksel.

Në fund të vizitës në Kosovë, Lajçaku ka thënë se po punohet për takimin mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë. “Do të dëshiroja që kjo të ndodhë para pushimeve verore në Bruksel”, ka thënë ai në konferencën në fund të vizitës.

“Dëshirojmë që ata të takohen dhe të dakordohen për çështjet që janë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë. Tani e ndiej se e kemi momentumin që të fillojmë me takime më të shpeshta të krerëve. Plani është që të kemi takime të rregullta”, ka thënë Lajçaku.

E ka cilësuar shumë të rëndësishëm unitetin politik në vend për dialogun. Ka vlerësuar lartë edhe nënshkrimin e udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes për energjinë në veri.

Ka shtuar se pas konferencës do të vizitojë pikat kufitare para se të shkojë në Beograd.

08:07

Lajçaku sot mbyll vizitën në Kosovë, dialogu e të pagjeturit në fokus të vizitës treditore

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë – Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, sot do të mbyllë vizitën e tij treditore në Kosovë.

Mëngjesin e sotëm është paraparë të mbahet një konferencë për media në prag të largimit të tij.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Lajçak ka takuar kryeministrin Albin Kurti si dhe liderët e partive opozitare parlamentare në selitë e tyre respektive.

Megjithatë, para se të lë përfundimisht Kosovën, Lajçak do të ndalet edhe në pjesën veriore të vendit.

Zyra e Bashkimit Evropian, por edhe ajo e Lajçak, janë rezervuar për të treguar agjendën e vizitës atje.

Në qendër të vizitës së tij ishte padyshim dialogu por edhe çështja e mbi 1600 personave të pagjetur nga lufta e fundit.

Për këtë të fundit, pati një vizitë në muzeun e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur në luftë, zhvilloi një takim në Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur si dhe mori pjesë në shfaqjen e një filmi që tregon historitë e personave të pagjetur./KSP