Anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe ata të Gjyqësorit e kanë bojkotuar të hënën takimin punues për procesin e vettingut, me arsyetimin se po bëhet ndërhyrje në drejtësi.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shprehu keqardhje për këtë gjest, derisa shtoi se është e interesuar të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë.
Haxhiu u shpreh se pas komenteve të Komisionit të Venecias për këtë proces, vendi ndodhet para një situate të re dhe më të ndriçuar për reformën në drejtësi.
“Kemi pas debate dhe ballafaqime të shumta dhe natyrisht që secila prej tyre veç sa i ka ndihmuar reformës në drejtësi dhe duke qenë që është një proces i ndjeshëm dhe aq jo i lehtë, ne kemi konsideruar qysh në fillim të punës tonë që të konsultohet me Komisionin e Venecias si trup e rëndësishme në raport me të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe në këtë drejtim pas pranimit të opinionit të Komisionit të Venecias, ndodhemi në një situatë të re dhe duket që e kemi të ndriçuar rrugën për ta përmbyllur rrugën në drejtësi”, u shpreh ministrja e Drejtësisë.
Për mosprezencën e anëtarëve të KPK-së dhe KGJK-së në këtë takim, ajo tha se është e interesuar që me të gjitha institucionet të bashkëpunojë, ngase sipas saj, kjo reformë nuk ka të bëjë me emra të përveçëm.
“Më vjen keq që sot nuk janë të pranishëm përfaqësuesit e KPK-së dhe KGJK-së megjithatë ne jemi shumë të interesuar që të bashkëpunojmë me institucionet e drejtësisë përfshirë sistemin prokruroial dhe atë gjyqësor përfaqësuesit e të dyja institucioneve kanë qenë të pranishëm në fazat kur ne kemi hartuar koncept-dokumentin dhe tani meqenëse kemi një opinion të Komisionit të Venecias që është opinion profesional unë besoj që të gjithë duhet të jemi të unifikuar në zbatimin e rekomandimeve që dalin nga opinioni i Venecias”, tha ajo.
Sipas Haxhiut, Kosova po hyn në një etapë të re dhe sipas saj, reforma në drejtësi do të përmbyllet me sukses.
Përfaqësues të KPK-së dhe KGJK-së edhe në herët kanë bojkotuar këtë grup punues, meqë siç thanë, nuk janë marrë për bazë rekomandimet e tyre dhe se ky proces si i tillë rrezikon pavarësinë e këtyre dy institucioneve.
“Fazat më tutje do t’i dakordojmë bashkërisht por foksi duhet të jetë në çështjen e draftimin e amendamenteve kushtetuese në linjë me opinion e Venecias. E kemi një draft të amendamenteve kushtetuese që janë vlerësuar tash edhe me opinionin e Venecias, por duhet që të bëhet disa ndryshime dhe pastaj të njëjtat t’i procedohen Kuvendit të Kosovës dhe pastaj krahas procesit të trajtimit nga Gjykata Kushtetuese sepse siç e dimë amendamentet kushtetuese shkojnë për mendim në Gjykatën Kushtetuese, para se të votohen në Kuvend”, tha tutje Haxhiu.
Opinionet e Komisionit të Venecias për vettingun bashkë me Byron Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme janë publikuar në fillim të javës së kaluar.
Komisioni i Venecias ka rekomanduar ndryshime legjislative që do të përmirësonin sistemin aktual të verifikimit të zyrtarëve në drejtësi, në veçanti për deklarimin e pasurisë dhe forcimin e njësive të vettingut brenda KGJK-së dhe KPK-së./ksp