Arbëri

Zyrtarët e shkarkuar dyshojnë në vendimmarrjen e Këshillit që e shpalli veten jokompetent

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme që u shkarkuan nga Gërvalla, për të cilët Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ka vlerësuar se nuk është kompetent që të vendosë, me arsyen se mungojnë aktemërimet - kanë ngritur dyshime lidhur me këtë vendimmarrje. Për ta konstatuar këtë, sipas tyre, Këshillit i janë dashur 45 ditë, teksa pretendojnë se Ministria nuk ua ka ofruar as dokumentacionin e kërkuar për trajtimin e lëndës, përmes të cilit do të dëshmohej se ka pasur shkelje ligjore kur janë zgjedhur në konkursin e para 12 vjetëve

Diplomatët që ishin pjesë e grupit të zyrtarëve të shkarkuar nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e kanë cilësuar absurd dhe dyshues veprimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil. Pas 45 ditësh trajtim të lëndës, Këshilli e shpalli veten jokompetent për të vendosur lidhur me ankesat, me arsyen se të shkarkuarve u mungojnë aktemërimet, rrjedhimisht nuk mund të trajtohen si shërbyes civil. Megjithëse vendimet nuk janë bërë publike, me to janë njoftuar diplomatët që ishin ankuar.

“Është edhe një shkelje e radhës, kuptohet që s’jemi të kënaqur. Një institucion që është i thirrur me sjellë drejtësinë e me shpall veten jokompetent, kjo është e pakuptueshme dhe e papranueshme për neve”, ka thënë Rrahim Morina, ish-zyrtar për siguri në MPJD. “Sa e di, në atë konkurs jemi pranuar diku 35-40 veta. Ministrja i ka tërheq vetëm 11. Fatkeqësisht nuk ke as me kënd komunikon për vendimet arbitrare që janë marrë më 15 mars e janë dërguar më 16, teksa kemi qenë duke i kryer punët rutinë në kuadër të Ministrisë. Nuk e kemi ndërmend me u ndal. Avokati është drejtuar edhe me një ankesë dhe ne do të vazhdojmë tutje drejt gjykatës. Shkeljet janë aq të mëdha sa nuk mundesh me i fsheh edhe me dashtë”.

Bahrije Hoti, e cila ka qenë zyrtare në Departamentin e Protokollit të Shtetit, ka thënë se vendimi i Këshillit me arsyetimin se nuk është “kompetent” për shqyrtimin e lëndës ankuese, tregon për shkeljen ligjore të radhës, për jokompetencë dhe paaftësi të “një agjencie e cila është e thirrur për trajtimin e shkeljeve dhe padrejtësive që u bëhen të punësuarve civilë”.

45 ditë për të shpallur veten jokompetent

“Është e pakuptimtë që një lëndë ankimore e konstatuar si lëndë e jokompetencës së tyre të shqyrtohet 30 ditë dhe t’i kërkojnë edhe 15 ditë shtesë për të ardhur deri te konkluzioni se ky këshill nuk qenka kompetent për shqyrtimin e ankesave. Kjo, përkundër faktit se ata në vendimin e dhënë e kanë trajtuar dhe janë lëshuar në konstatime të objektit të ankesës”, ka thënë Hoti. “Konstatimi përfundimtar është shumë kontradiktor nga ky këshill, që në mënyrë të vetëdijshme i ka shkelur standardet ligjore. Ngrihet pyetja se përse këtij këshilli i janë dashur gati 50 ditë që të konstatojë se nuk është kompetent në trajtimin e lëndëve ankimore tonat. Kjo lë të mendosh se diçka nuk është në rregull, të lë të mendosh për trajtim joprofesional të lëndëve, si dhe për shkelje arbitrare ligjore”.

Sipas Hotit, edhe konstatimi për aktemërim është i paqëndrueshëm.

“Ne kemi pasur aktemërime, nëse ato nuk i janë dërguar këtij këshilli, ajo është jokompetencë e Departamentit të Personelit për t’i ruajtur dhe sistemuar dokumentet e të gjithë stafit. Është një konstatim plotësisht i gabuar dhe joligjor, pasi që nuk ka qenë fare kontestuese nga ana e MPJD-së, sepse në bazë të ligjeve përkatëse është bërë shpallja e konkursit për diplomatë dhe ne kemi punuar deri në ditën e shkarkimit si diplomatë të karrierës, bazuar në statusin e shërbyesve civil siç punojnë edhe sot i gjithë stafi i Ministrisë dhe diplomatët jashtë vendit. Ne kemi pasur vizita të herëpashershme të këtij këshilli nëpër ambasada, të cilët e kanë mbikëqyrur ligjshmërinë e shërbyesve civilë nëpër ambasada”, ka theksuar ajo.

Dyshimet mbi vendimmarrjen janë ngritur pak ditë pas vendimit, kur anëtarë të Këshillit të Pavarur realizuan vizita në Ambasadën e Kosovës në Bernë.

Morina thotë se ka dëgjuar për këtë udhëtim, por nuk e di nëse janë shpërblyer për vendimet në favor të ministres.

“Nuk e di dhe uroj të mos jetë ashtu”.

Këshilli e mohon se u shpërblye

Por në Këshill e kanë mohuar këtë, duke thënë se monitorimi në ambasada buron nga mandati i tyre kushtetues e ligjor.

“Rrjedhimisht, monitorimi i zbatimit të legjislacionit me datë 16.06.2022 – 22.06.2022 në Ambasadën e Gjermanisë dhe Zvicrës është bërë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe Planin e Monitorimit, të aprovuar në muajin prill 2022. Vlen të ceket se për shkak të ruajtjes se pavarësisë të garantuar me Kushtetutë, për dallim nga vizitat e mëhershme monitoruese të realizuara nga anëtarët e mëhershëm, këto dy vizita monitoruese janë realizuar me mjete financiare nga buxheti i Këshillit dhe në përputhje me planin buxhetor të aprovuar nga Këshilli. Andaj, për sa me sipër ju sigurojmë se monitorimi i ambasadave në dy shtetet e lartcekura është bërë në kuadër të mandatit kushtetues dhe ligjor dhe në përputhje me planin e monitorimit për vitin 2021, dhe se nuk ka vend të flitet për asnjë shpërblim nga MPJD-ja”, thuhet në përgjigjen e Këshillit.

Anëtarët e Këshillit i janë referuar nenit 101, paragrafi 2 të Kushtetutës së Kosovës, ku përcaktohet se: “një Këshill i Pavarur Mbikëqyrës për shërbimin civil siguron respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil dhe i cili pasqyron diversitetin e popullit të Republikës së Kosovës, ndërsa me dispozitat e Ligjit Nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, përkatësisht nenin 2 të këtij ligji, përcaktohet se: 2. Fushëveprimi i këtij ligji përfshin Këshillin dhe të gjitha institucionet e administratës publike që kanë të punësuar nëpunës civilë”.

“Andaj, në kuadër të mandatit kushtetues dhe ligjor, si dhe duke u bazuar në nenin 20 të Ligjit Nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Këshilli në mbledhjen e gjashtë (6) të mbajtur më datë 29.04.2022 ka aprovuar Planin e Monitorimit për vitin 2021, ku pjesë e planit të monitorimit janë edhe katër (4) ambasada të Republikës së Kosovës (Ambasada e Kosovës në: Zvicër, Gjermani, Belgjikë dhe Çeki)”, thuhet në përgjigjen e Këshillit.

Ky institucion ka dhënë edhe një sqarim sa u përket ankesave të grupit të diplomatëve. Thotë se ato janë trajtuar para vizitave monitoruese.

“Sa u përket ankesave të cilave iu keni referuar, më lejoni t’ju njoftojmë se Këshilli në lidhje me këto ankesa ka vendosur më 10.06.2022, pra para realizimit të vizitave monitoruese, dhe të njëjtat ankesa nuk i ka refuzuar, por Këshilli është shpallur jokompetent për të vendosur me arsyetimin se ankuesit nuk kanë nënshkruar aktemërime në kohën e pranimit në shërbimin e jashtëm”, shkruan në përgjigje.

Edhe pse ligji përcakton se për ankesa duhet të vendoset brenda 30 ditësh, Këshilli kishte kërkuar edhe 15 ditë të tjera për të konstatuar se është jokompetent për të marrë vendim rreth këtij rasti.

Grupi i dytë më i madh i shkarkuar njëherësh

Burime të KOHËS kanë thënë se Këshilli ka pritur nga MPJD-ja t’ia vërë në dispozicion listën përfundimtare dhe vendimet për kandidatët që janë pranuar në konkursin e vitit 2012, por ato nuk i janë ofruar. Po ashtu, Këshilli ka mbajtur edhe seancë dëgjimore me zyrtarët e Ministrisë dhe me grupin e diplomatëve të shkarkuar lidhur me rastin.

MPJD-ja gjatë gjithë javës nuk ka ofruar sqarime rreth kësaj teme.

Ministrja Gërvalla në mars të këtij viti shkarkoi 11 zyrtarë të Shërbimit të Jashtëm. Vendimi për këtë është cilësuar si pjesë e masave të Ministrisë për vendosjen e ligjshmërisë në administratën publike dhe për anulimin e vendimeve të jashtëligjshme. Në mesin e të shkarkuarve është edhe vajza e ish-zëvendëskryeministrit Bujar Bukoshi, Shota Bukoshi.

Dy nga të shkarkuarit e tjerë, Adnan Dragaj dhe Enver Buqaj, kanë qenë zyrtarë në Departamentin për NATO. Petrit Hajdari në atë për Marrëdhënie Rajonale, Bahrije Hoti në Departamentin e Protokollit të Shtetit e Mit’hat Fejza në Konsullore. I shkarkuari tjetër Lulzim Rifaj ka shërbyer si konsull jashtë vendit dhe së fundmi ishte zyrtar i lartë për çështje konsullore. Adnan Jakupi ka qenë me mision në Pragë, ndërsa Rrahim Morina ka shërbyer edhe si ish-konsull i përgjithshëm në Stamboll.

KOHA pati raportuar se janë rreth 40 zyrtarë që janë punësuar në konkursin e njëjtë, prej të cilit Ministria në mënyrë selektive i shkarkoi vetëm 11. Megjithëse Ministrisë i janë dërguar pyetje disa herë lidhur me mungesën e vendimmarrjes rreth këtyre emërimeve, ajo nuk ka ofruar sqarime.

Këto janë shkarkimet më të mëdha në numër njëherësh pas atyre në majin e vitit 2021, kur me vendim të ministres Gërvalla ishin shkarkuar 12 ambasadorët e emëruar me çelës politik.

Edhe asistentja në Tiranë ishte shkarkuar me email

Nuk është ky rasti i vetëm për të cilin Këshilli e ka shpallur veten jokompetent për të vendosur. Në mënyrë të njëjtë sikurse për diplomatët ishte shkarkuar edhe recepsionistja në Ambasadën e Kosovës në Tiranë.

Nga vlerësimi i shkresave të lëndës, Këshilli ka konstatuar se ankuesja kishte themeluar marrëdhënie pune për kohë të pacaktuar nga data 2 tetor 2020 deri më 2 tetor 2023. Por MPJD-ja përmes emailit më 1 mars të këtij viti e kishte njoftuar atë për përfundimin e marrëdhënies së punës, me arsyetimin se kontrata e punës është nënshkruar pa respektuar asnjë procedurë rekrutimi dhe pa pëlqim paraprak nga ana e Ministrisë.

Këshilli e përmend edhe faktin se ankuesja i është drejtuar Ministrisë me kërkesë për njoftim zyrtar më 28 prill për definimin e statusit juridik të saj, por që deri tash nuk është i është përgjigjur.

Mungesën e kompetencës, Këshilli e ka arsyetuar me faktin se pozita recepsioniste nuk është pozitë e shërbimit civil sipas dispozitave të Ligjit për zyrtarët publikë.

Pavarësisht premtimeve të ministres për kthimin e ligjshmërisë në MPJD, ajo është denoncuar nga mekanizmat brenda këtij dikasteri, siç është Shoqata Sindikale, për vazhdimësi të praktikës së qeverive paraprake duke emëruar e graduar persona të afërt me partitë në pushtet, pa respektuar procedurat ligjore.