Arbëri

Rukiqi: Qeveria po heziton ta pranojë krizën ekonomike në Kosovë

Paralajmërohet recesion ekonomik, Qeverisë i kërkohet të marrë masa

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se po e shqetëson neglizhenca e institucioneve të Kosovës për ta trajtuar në mënyrë më serioze krizën që e ka prekur gjithë botën, përfshirë edhe Kosovën.

Rukiqi ka folur për KosovaPress, rreth sfidave me të cilat po ballafaqohen bizneset, bashkëpunimin me institucionet, çështjen e çmimeve të naftës dhe marrëveshjet në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

I pyetur për gjendjen aktuale në të cilin po kalon vendi me ngritje të inflacionit, i cili tashmë është 11.2 për qind, Rukiqi ka thënë se Qeveria aktuale nuk është duke e pranuar se vendi është në gjendje jo të mirë ekonomike.

Sipas tij, qeveritë e vendeve tjera dhe bizneset janë ulur së bashku për t’i diskutuar problemet e këtyre të fundit, por kjo nuk ka ndodhur edhe në vendin tonë, gjë që mund të krijohen dëme të pariparueshme.

“Neve po na shqetëson pak neglizhenca e institucioneve me e trajtuar në mënyrë më serioze këtë krizë, me adresuar që ka një krizë fillimisht duhet me pranuar që ka një krizë, ka pak një hezitim të qeverisë me adresuar si krizë dhe, unë mendoj që kjo është natyra e problemit. Pastaj te specifikat e problemit apo si mund të trajtohet një krizë, ka shumë mekanizma në radhë të parë do të ishte një mekanizëm mes sektorit privat dhe qeverisë për me diskutuar në baza të rregullta këtë çfarë po ndodhë dhe kjo po bëhet praktikë në të gjitha vendet, ulen kompanitë, ulen akterët të rëndësishëm të tregut, ulen shoqatat e bizneseve, ulen qeveria dhe diskutojnë modalitetet se si mund të dilet nga një situatë, e cila mund të krijon dëme të pariparueshme, tani për tani është inflacion, po çfarë nëse shkon në stagflacion e pastaj edhe në vende pune”, tha ai

Rreth rritjes së çmimit të naftës, Rukiqi ka deklaruar se fajtor për këtë nuk janë bizneset, ashtu siç po thuhet nga qeveria, por sipas tij, fajtor për këtë është importi me rritje të çmimit.

“Unë mendoj që Qeveria duhet ta pranoj si krizë, jo si krizë që e ka shkaktuar kjo Qeveri, si krizë e rrethanave e faktorëve të jashtëm. Por nëse nuk trajtohet si krizë, atëherë është problem me i marrë edhe masat adekuate dhe shpesh herë në situata të tilla tentohet si me thënë me u vendos faji diku tjetër p.sh., si te rasti i naftës, sjellja është sikur fajin e kanë tregtarët se nuk është ky problem i natyrës tjetër. Nuk është problem i tregtarëve, është problem i importit, importi është i shtrenjtë, shumë më i shtrenjtë tani, ndërkohë në të njëjtën kohë, te ne ajo që e ngarkon importin p.sh., TVSH-ja, apo pjesa që e ngarkon çmimin e naftës akciza, nuk janë në tavolinën e diskutimeve”, tha Rukiqi./KSP