Arbëri

Analistët: Presioni ndërkombëtar e rrit mundësinë për marrëveshje përfundimtare me Serbinë

Vizitat e liderëve ndërkombëtarë në vend po konsiderohen nga njohësit e çështjeve politike si pozitive për Kosovën, ndërsa thonë se Qeveria e Kosovës duhet të kthehet në dialog dhe të fillojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Sa i përket temës së dialogut, Asociacionit të Komunave dhe Manastirit të Deçanit, Arbnor Sadiku e Arton Demhasaj sugjerojnë se duhet të dëgjohen këshillat e ndërkombëtarëve dhe se asnjë qeveri nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveç zbatimit të këtyre marrëveshjeve.

Demhasaj, drejtor ekzekutiv i organizatës “Çohu”, tha se vizitat e liderëve ndërkombëtarë në vend kanë tendencë që ta shtyjnë Kosovën të kthehet në dialogun me Serbinë e sa më shpejt të arrihet një marrëveshje përfundimtare.

“Krejt shtetet që po vijnë e po e vizitojnë Kosovën, çështja kryesore e diskutimit është çështja e dialogut. Pra, tendenca e krejt vendeve ose e liderëve që po vijnë ta vizitojnë Kosovën është për të shtyrë Kosovën të kthehet në dialog e që përmes dialogut sa më shpejt të arrijë marrëveshjen përfundimtare me Serbinë – që njëherë e përgjithmonë të zgjidhet problemi mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo që është pozitive në këto vizita që po ndodhin, sidomos nga vizita e kancelarit gjerman në Prishtinë, po njëkohësisht edhe në Beograd, është që për herë të parë një lider i fuqishëm i BE-së, po e thotë shprehimisht që marrëveshja duhet të përfundojë me njohje reciproke. Nuk mund të pretendohet që një shtet të hyjë në Bashkimin Evropian pa e njohur një shtet tjetër”.

Demhasaj konsideron se përmendja e shpeshtë nga ndërkombëtarët që të arrihet një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë është pozitive.

“Fakti që shprehimisht po përmendet që marrëveshja duhet të përfundojë me njohje reciproke, që deri më tash e kanë përmend vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës e jo shtetet e Bashkimit Evropian, mendoj që është pozitive dhe është shenjë e mirë për Kosovën. Pra, nuk duhet të ketë frikë të kthehet në dialog sepse tashmë edhe shtete të caktuara të BE-së po e kërkojnë që marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojë me njohje reciproke”, ka thënë ai duke shtuar se Qeveria duhet të kthehet sa më shpejt në dialog, të kryhet marrëveshja e të përfundojë me njohje reciproke.

Ai konsideron se në këtë mënyrë Serbia nuk do të jetë pengesë e anëtarësimit të Kosovës në organizata dhe institucione të rëndësishme.

“Qasja e Kosovës duhet të jetë që të kthehet në dialog dhe të kërkojë sa më shpejt të kryhet marrëveshja, e ajo marrëveshje të përfundojë me njohje reciproke që Serbia më të mos jetë pengesë e Kosovës sa i përket integrimit qoftë në BE, qoftë në Interpol, Europol, Këshill të Evropës apo në cilin do institucion të rëndësishëm rajonal”.

Asociacioni i Komunave e Manastiri i Deçanit, sipas Demhasajt do të jenë tema e dialogut. Por, ai thekson se Kosova duhet të shprehet e gatshme që ta krijojë asociacionin duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sa i përket marrëveshjes përfundimtare, Demhasaj thotë se nëse ka vullnet të Kryeministrit Kurti e Presidentit Vuçiq si dhe presionit ndërkombëtar, këtë vit mund të ketë marrëveshje përfundimtare.

“Ne e pamë që zoti Lajçak, si ndërmjetësues në Bashkimin Evropian, tha që është duke punuar në organizimin e një takimi në mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Kështu që në rast se ka vullnet të palëve por edhe presion të shtuar nga vendet e fuqishme perëndimore, mund të pritet që gjatë këtij viti edhe të ketë një marrëveshje. Po kjo krejt varet edhe nga presioni ndërkombëtar por edhe nga vullneti i Kosovës edhe i Serbisë”

Edhe Arbnor Sadiku, analist politik, tha se të gjitha vizitat në Kosovë nga liderët ndërkombëtarë kanë konfirmuar mbështetjen për Kosovën si dhe thirrje për Qeverinë e Kosovës që t’i kryejë detyrat që i ka sa i përket dialogut me Serbinë.

“Të gjitha vizitat që ndodhin në Kosovë, duke përfshirë kancelarin Olaf Scholz, presidentin e Këshillit Evropian, Charls Michel, pastaj edhe ministrin e jashtëm austriak dhe disa vizita të tjera që kanë ndodhur në Kosovë, janë konfirmim i mbështetjes për Kosovën. Në një farë forme e forcojnë rolin e saj në dialogun Kosovë-Serbi dhe në të njëjtën kohë janë thirrje për kryerjen e detyrave që i ka Qeveria e Kosovës karshi dialogut të Brukseli dhe i bëjnë ftesë Qeverisë së Kosovës të jetë më pragmatike në dialogun Kosovë-Serbi”.

Ai thotë se palët e të dy qeverive duhet të bëjnë veprime konkrete për dialogun. Sa i përket Asociacionit të Komunave, Sadiku thotë se duhet gjetur kompromis në ato pika ku janë në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese.

“Kryeministri Kurti duhet tashmë të bëjë veprime konkrete në dialogun Kosovë-Serbi, të zotohet për realizimin e marrëveshjeve të cilat janë arritur në Bruksel, të fillojë punën për asociacionin e komunave serbe me krijimin e statutit dhe të negociojë me ndërkombëtarët pikat të cilat i ka kontestuar Gjykata Kushtetuese. Në një farë forme që të gjendet një tip kompromisi për ato pika të asociacionit që kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën dhe janë sipas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në kundërshtim me frymën kushtetuese të Republikës së Kosovës”.

Ai thekson se asociacioni është kusht edhe nga Amerika e Serbia për ta vazhduar dialogun. Sipas tij, Kosova nuk duhet të ketë frikë ta vazhdojë dialogun.

“Asociacioni sigurisht që është kusht nga pala amerikane për ta vazhduar dialogun Kosovë-Serbi, njëkohësisht është kërkesë edhe e presidentit Vuçiq dhe e Serbisë. Në të njëjtën kohë është edhe kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare, po shto kësaj është rezoluta e fundit e Parlamentit Evropian që dialogu Kosovë-Serbi në fund duhet ta ketë njohjen reciproke, i jep një fuqizim Kosovës dhe kryeministrit Kurti që në njëfarë forme mos të frikësohet nga dialogu me Serbinë. Por, të jetë më pragmatik sepse në fund ky dialog do të përfundojë me njohje midis dyja vendeve apo palëve që janë në mosmarrëveshje, në këtë rast midis Kosovës dhe Serbisë”.

Sa i përket manastirit të Deçanit, ai thotë se asnjë qeveri kosovare nuk ka tjetër zgjidhje pos zbatimin e vendimit, sado që mund të jetë i padrejtë.

“Sa i përket Manastirit të Deçanit, sigurisht që jo vetëm Qeveria Kurti, por çdo qeveri tjetër në njëfarë forme nuk ka opsion tjetër përveç zbatimit të atij vendimi sepse sado që ai vendim është i padrejtë, është vendim i cili ka marrë një verdikt nga Gjykata Kushtetuese dhe në njëfarë forme edhe bashkësia ndërkombëtare thirrjen që e ka bërë ta zbatojë atë marrëveshje ka qenë mbi këto premisa”.

Për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, Sadiku thotë se nuk dihet se kur mund të ndodhë.

“Ne nuk mund të themi me saktësi dhe nuk është i lehtë përcaktimi që të themi se do të ndodhë këtë vit apo vitin e ardhshëm një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë. Por, ne mund të konstatojmë se gjendja dhe momentumi që është krijuar pas luftës Ukrainë-Rusi është më e madhe dhe në favor të Kosovës”. /EO