Arbëri

Vuçiq: S’pati datë për liberalizim të vizave për Prishtinën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se gjatë Samitit të BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor, nuk pati ndonjë rezultat konkret, porse ishte diskutim i mirë.

Ai ka thënë se në këtë takim nuk u dha ndonjë datë për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut e Shqipërinë, e po ashtu Kosova nuk ka marrë ndonjë datë për liberalizim të vizave, e as Bosnjë-Hercegovina nuk ka marrë statusin e kandidatit të BE-së.

Ai ka thënë se ka pasur kritika ndaj tij nga shtetet e BE-së në lidhje me mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Por, Vuçiq ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, që u treguan shumë fer karshi Serbisë.

“Natyrisht se unë sot kam më pak frustrim sesa shokët e mi Edi e Dimitar, për shkak të situatës. Gjithë ne mund të bëjmë shumë para dhjetorit. Por, i premtoj kolegëve evropianë se do të bëjmë më të mirën për të arritur standardet evropiane në fushën e sundimit të ligjit, demokratizimit dhe në liri të mediave. Besoj se ne të gjithë do të jemi në disponim më të mirë në dhjetor, sesa që jemi sot. Shumë faleminderit Charles Michelit, Ursula von der Leyenit, e po ashtu edhe Edit e Dimitarit. Mund të them se Edi e Dimitari kanë mbrojtur shtetet e tyre dhe interesat nacionale në mënyrë të guximshme”, tha Vuçiq, që e ka përshëndetur edhe idenë e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për krijimin e Komunitetit Politik Evropian.