Arbëri

Sindikata e Shërbyesve Civilë të pakënaqur me trajtimin nga Qeveria Kurti

Të enjten u shënua Dita e Shërbyesve Civilë, por në Kosovë nuk u shoqërua me ndonjë organizim. Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Mursel Zymberi, është shprehur tejet i pakënaqur me trajtimin që po e marrin nga Qeveria Kurti.

Ai ka thënë se brenga kryesore e shërbyesve civilë mbetet miratimi i Ligjit për paga, teksa akuzon kryeministrin Albin Kurti për shkëputje totale për dialog me shërbyesit civilë.

“Sindikata e Shërbyesve Civilë është duke u kujdesur për qytetarët e pozitat e tyre, pavarësisht se janë të pakënaqur. Për dallim prej viteve tjera, Ministria e Administratës Publike nuk e parë të rrugës të organizohet diçka. Brenga e të gjithë shërbyesve është Ligji i pagave që është premtuar në qeverinë Kurti 2 dhe nuk e kemi asnjë sinjal kur do të hyjë në fuqi. E dikë që edhe në të kaluarën pozita e shërbyesve civil ka qenë më e shkelur dhe më e degraduar. Kërkoj nga kryeministri që ligjet e pazbatueshme të mos aprovohen. Të zhgënjyer jemi edhe me një draftligj, ku parashihet që t’i merret mandati udhëheqësve të mesëm dhe të ulët dhe të tilla pozita na dalin 4.000. Kryeministri Kurti ka bërë një shkëputje totale me dialogun me shërbyesit civilë”, ka thënë Zymberi në një konferencë për media.

Zymberi tutje u shpreh se nuk mund të dalin të protestojnë për të drejtat e tyre, pasi "është tejet e vështirë t'i lëmë qytetarët pa shërbim". 

Dita e Shërbyesve Civilë në botë ka filluar të shënohet me vendim nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 20 dhjetor 2002, kur kjo ditë është caktuar si datë tradicionale.

OKB-ja me këtë rast inkurajoi vendet anëtare, që nga viti 2003, të organizojnë ngjarje speciale për këtë ditë, me qëllim të vënies në spikamë të kontributit që japin shërbyesit civilë, në proceset e zhvillimit të shoqërive.

Kjo ditë feston vlerën dhe virtytin e shërbimit publik për komunitetin; nënvizon kontributin e shërbyesve civilë në procesin e zhvillimit; vlerëson punën e nëpunësve publikë dhe inkurajon të rinjtë të ndjekin karrierën në sektorin publik.