Arbëri

Kandidatja për Bordin e KPM-së: Kthimi i procesit në fillim, tendencë për favorizim

Të mërkurën, Kuvendi dështoi të zgjedhë një anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM). Njëra nga kandidatet, Violeta Hyseni-Kelmendi, deklaroi se është e habitshme moszgjedhja e anëtarit, ndonëse sipas saj, kthimi i procesit në pikën zero i bie se ka pasur tendenca për favorizim.

“Vet fakti që nuk është zgjedhur asnjëra i bie që ka pasur tendenca të favorizohet njëra. Disa prej deputetëve kanë reflektuar që votimi i një kandidati që nuk i plotëson kriteret, do të ishte i dëmshëm për KPM-në dhe publikun. Duhet t’i hapet rrugë procesit. Kam kërkuar mbështetje nga grupet parlamentare dhe partitë pasi anëtarët e KPM-së zgjidhen nga Kuvendi”, deklaroi Hyseni-Kelmendi në “60 Minuta” të KTV-së.

Sipas saj, kundërkandidates Teuta Morina-Hoxha, duhet t’i shikohet biografia, pasi sipas saj, nuk është e fushës që kërkohet për këtë post.

LEXO EDHE: Dy kandidate për një pozitë në KPM, njëra nga fusha që s’parashihet në ligj

“Procesi u kthye në pikën zero, e mirë e kësaj është që më mirë procesi të dështojë se të pakualifikuarit të shkojnë në institucione. Ligji e përcakton se kush mund të jetë kandidat. Kuvendi duhet të jetë i kujdesshëm në filtrimin e kandidatëve. KPM-ja është para sfidave të mëdha, nuk ka kohë të humbet me njerëzit që nuk janë të fushës”, shto ajo.

Kandidatja për anëtare të KPM-së theksoi se rregullimi nga brenda i KPM-së është më kompleks sesa mendohet.

“Vendimet që i marrim i ndikojnë mediat, i ndikojnë qytetarët. Vendimi final për përzgjedhje duhet të jetë i mirë për KPM-në pasi ka shumë sfida. Kemi një ligj në proces që është paraparë të miratohet. Ky do ta zgjerojë fushëveprimin e KPM-së, me ç’rast KPM-së do t’i nevojiten resurse humane dhe financiare”, tha tutje.

Hyseni-Kelmendi theksoi se pos anëtarit të Bordit të KPM-së, është e rëndësishme përzgjedhja edhe e anëtarit të Bordit të Ankesave në këtë institucion.

“Për Bordin e Ankesave jemi në një situatë të vështirë, është jofunksional. Shkalla e dytë e ankesave është joaktive”.