Ka nisur votimi në Kuvend për caktimin e anëtares së Komisionit të Pavarur të Medias. Deputetët kanë nisur të votojnë për të zgjedhur në mes të Violeta Hyseni-Kelmendit dhe Teuta Morina-Hoxhës që janë dy nga katër kandidatet që kanë marrë numrin më të madh të pikëve gjatë intervistimit nga komisioni ad-hoc.
Hyseni-Kelmendi është gazetare me më shumë se 15 vjet përvojë pune në gazetari dhe 4 vjet si anëtare e KPM-së.
Hoxha-Morina është mësimdhënëse në gjimnazin e Gjilanit.
Neni 10.2 i Ligjit për KPM-në parasheh se “Anëtarët e KPM-së duhet të jenë personalitete të dalluara të fushave të ndryshme si: kultura, arti, drejtësia, kinematografia, gazetaria, biznesi, menaxhmenti, marrëdhënie me publikun, marrëdhënie ndërkombëtare, media dhe teknologjia informative”.
E siç pati raportuar KOHA, kandidatja Teuta Hoxha-Morina ka afërsi me subjektin politik në pushtet dhe kësisoj, LVV-ja ua ka rekomanduar deputetëve që ta votojnë atë.