Emërimet “klandestine” dhe “fushata hakmarrëse” në MPJD po trajtohen nga Antikorrupsioni

Pretendimet për emërime klandestine e deri te fushata hakmarrëse kundër zyrtarëve kundërshtues brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të trajtohen nga Agjencia Kundër Korrupsionit.
Një mal shkeljesh brenda MPJD-së janë denoncuar pranë Agjencisë Kundër Korrupsionit, të cilat janë duke u hetuar. Mes të tjerash, sindikalistët brenda MPJD-së, në dokumentin të cilin e ka siguruar “KOHA”, kanë ngritur shqetësime për emërimet e jashtëligjshme e selektive e deri te fushatat hakmarrëse ndaj diplomatëve të karrierës. As MPJD-ja, por as Zyra e kryeministrit nuk kanë ofruar sqarime lidhur me këto pretendime
Pretendimet për emërime klandestine e deri te fushata hakmarrëse kundër zyrtarëve kundërshtues brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të trajtohen nga Agjencia Kundër Korrupsionit.
Zyrtarë të këtij institucioni i kanë thënë KOHËS se, aktualisht, janë në fazën e mbledhjes dhe analizimit të informacioneve dhe dokumentacionit relevant.
Veprimet janë paralajmëruar pas shkresës së fundit që Shoqata Sindikale e MPJD-së e ka deponuar pranë AKK-së.
“Rastin e adresuar nga ju, Agjencia Kundër Korrupsionit, aktualisht, është duke e trajtuar dhe pjesën tjetër do ta trajtojë në kuadër të rastit që ndërlidhet me raportimet e mëhershme të kësaj shoqate sindikale në procedurën e hetimeve paraprake. Nëse pas përfundimit të procedurave hetimore paraprake konstatohet se ka të dhëna të mjaftueshme apo/dhe dyshim të arsyeshëm se rasti mund të përbëjë vepër penale, Agjencia ia përcjellë rastin Zyrës së Kryeprokurorit për procedim të mëtutjeshëm”, ka thënë Lumnije Demi nga Agjencia Kundër Korrupsionit.
Ajo ka shtuar se në rast që nuk dyshohet për vepër penale, por për shkelje administrative, Agjencia e përcjell rastin tek organi administrativ kompetent.
“Nëse pas përfundimit të procedurave hetimore paraprake Agjencia konstaton se nuk ka të dhëna të mjaftueshme apo/dhe dyshim të bazuar se rasti mund të përbëjë vepër penale apo shkelje administrative, Agjencia nxjerr vendim për mbylljen e rastit. Çdo rast mund të rihapet në çdo kohë kur mund të paraqiten rrethana te reja”, ka theksuar Demi.
Shkresa e fundit që Shoqata ia ka përcjellë Agjencisë, por edhe Zyrës së kryeministrit dhe komisionit përkatës parlamentar është e datës 31 maj. Aty janë listuar shkeljet e shumta në auditim dhe risistemim të zyrtarëve të ish-Ministrisë së Diasporës, mbështetur në rregulloren përkatëse.
“Auditimi brenda MPJD-së po zhvillohet krejtësisht në mënyrë selektive, vetëm për zyrtarët e ish-MPJ-së, duke u përjashtuar nga ky proces zyrtarët e ish-Ministrisë së Diasporës, pjesë e së cilës ishin të gjithë të lartcekurit”, ka potencuar Demi.
Me këtë rast, Shoqata i është referuar emërimit të zëvendëssekretarit në MPJD, Behar Isma, njëherësh drejtor i përgjithshëm i Akademisë Diplomatike, duke shkelur dispozitat ligjore. Isma, nga koeficienti 9, është ngritur “kundërligjshëm në koeficientin 16. Situatë e njëjtë, sipas Shoqatës, është edhe në rastin e auditorit të brendshëm, i cili ishte sistemuar nga ish-MPJD-ja në njërën prej pozitave kyç, që ka në shqyrtim edhe dosjet e diplomatëve.
Pretendime për shkelje ka edhe në anëtarin tjetër të Komisionit të ristrukturimit, Lulzim Hiseni, “i cili po ashtu është sistemuar në pozitën e drejtuesit të departamentit, duke mos përfillur asnjë procedurë të rregullave për shërbyesit civilë”.
“Për njohurinë tuaj, z. Hiseni është ndër përfituesit e gradave në mënyrë të kundërligjshme, pa kaluar përmes Komisionit për Grada dhe Disiplinë (e paraparë me ligjin aktual), gjë e cila është ngritur nga ana e Shoqatës në vazhdimësi”, shkruan në dokument.
Shoqata po ashtu ka shprehur shqetësimin mbi atë se zhvillimi i punimeve nga ky grup është bërë në mënyrë tejet konfidenciale, duke mos i përfshirë në konsultime.
Anëtarët e Shoqatës e kanë kontestuar edhe Rregulloren për Organizimin dhe Sistematizimin e vendeve të Punës në MPJD, duke thënë se është në kundërshtim me Ligjin për shërbimin e jashtëm.
“Sipas organogramit të ri, Shoqata konsideron se ka pozita të mjaftueshme për risistemim të zyrtarëve publikë, andaj çdo anashkalim i këtij procesi, jo vetëm që do t’i dëmtojë zyrtarët publikë, por edhe institucionin e MPJD-së dhe shërbimin e jashtëm, ngase të njëjtit zyrtarë tani kanë krijuar një përvojë të mirë në këtë dikaster”, kanë thënë ata.
Institucionet përkatëse janë vënë në dijeni edhe për, siç thuhet, fushatën e egër dhe hakmarrëse.
“Menaxhmenti i MPJD-së, pas këtyre veprimeve sindikale, ka filluar dhe po vazhdon një fushatë të egër dhe hakmarrëse kundër Shoqatës Sindikale të Shërbimit të Jashtëm. Ky presion kundër anëtarëve që përfaqësojnë organizimin sindikal është duke u shfaqur në forma të ndryshme. E para, edhe përkundër faktit se ekzistojnë pozita të lira brenda MPJD-së, menaxhmenti nuk është duke i sistemuar një pjesë të zyrtarëve me tendencë që t’i largojë nga ky institucion bartësit e organizimit sindikal, duke përfshirë edhe kryetarin e Shoqatës, i cili është pjesë e dikasterit të jashtëm që nga themelimi i MPJ-së dhe zyrtarëve të tjerë me përvojë të gjatë profesionale dhe institucionale”, thuhet në shkresën e Shoqatës.
Shoqata ka kërkuar që të ndërpritet procesi i risistemimit, të rishikohen emërimet e ish-zyrtarëve të Ministrisë së Diasporës dhe më pas të themelohet një komision kredibil dhe profesional, i cili do të merret me risistemim në MPJD.
KOHA ka pyetur në Ministri dhe në Zyrën e kryeministrit lidhur me pretendimet e Shoqatës, por kanë munguar përgjigjet.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.