Arbëri

Kurti: Fjalët veteran dhe pagë s’mund të jenë në një fjali

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se fjalët veteran dhe luftëtar e çlirimtar nuk duhet të jenë në një fjali me fjalën pagë.

Kurti në një konferencë për media të shtunën, ka thënë se paga nuk merret për diçka që është bërë para 23 vjetëve. Sipas tij, veteranët marrin beneficion.

Kurti ka thënë se beneficioni i veteranëve duhet të jetë më i lartë se paga minimale, por që sipas tij, për të ndodhur kjo, fillimisht duhet të bëhet pastrimi i listave.

“Unë nuk besoj që në Republikën e Kosovës fjalën veteran dhe luftëtar e çlirimtar në njërën anë, dhe fjalën pagë në anën tjetër, duhet t’i kemi në të njëjtën fjali. Këto janë beneficione për veteranët si mirënjohje e shoqërisë, por jo pagë. Paga merret në kohën e tashme të vazhdueshme jo për diçka para 23 vjetëve. Kjo nënkupton që beneficioni nuk bën të lidhet me pagën minimale. Unë besoj që beneficioni për veteranët duhet të jetë më i lartë se paga minimale. Por për këtë kam kërkuar që paraprakisht të bëhet një rregullim i listave sepse duhet të vijmë tek e vërteta historike ashtu siç ka qenë. Nuk kemi nevojë ta shtojmë numrin e veteranëve që të ndihemi krenarë”, ka thënë Kurti të shtunën.

Ai ka shtuar se janë duke punuar në një propozim konkret, një oferte e cila do t’i prezantohet organizatave të dala nga lufta.

Deklarata e Kurtit vjen një ditë pas takimit që ka pasur me krerët e OVL të UÇK-së, e gjatë të cilit nuk është arritur pajtim mes dy palëve për kërkesat e veteranëve.

Veteranët janë duke kundërshtuar Projektligjin për pagën minimale, përmes të cilit paga minimale në Kosovë është rritur nga 170 në 264 euro, derisa nga kjo rritje ata janë përjashtuar.

Projektligji është miratuar në lexim të parë javën e kaluar.

Që atëherë veteranët kanë mbajtur disa protesta duke penguar punën e Kuvendit të Kosovës.