Që nga fillimi i vitit, në Kuvend janë miratuar vetëm 33 projektligje në 28 seanca sa janë mbajtur. Aktualisht në procedurë të shqyrtimit Kuvendi ka edhe 73 projektligje të tjera. Monitorues të punës së Kuvendit vlerësojnë se këto statistika flasin për mosefikasitet të legjislaturës aktuale. Meqë në shumë nga seancat projektligjet mbeten pa u votuar shkaku i mungesës së kuorumi, monitoruesit rekomandojnë të aplikohen sanksione ndaj deputetëve që mungojnë në procesin e vendimmarrjes.
Që nga fillimi i sesionit pranveror në janar të këtij viti, Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar as një të tretën e projektligjeve që i janë përcjellë e bartur për votim.
Nga 106 projektligje të proceduara për këtë sesion, ligjvënësit kanë miratuar 33 nga to.
Kësisoj, më pak se dy ligje janë miratuar në secilën nga 28 seancat e mbajtura për këtë vit, përjashtuar 4 seancat solemne.
Monitorues të punës së Kuvendit vlerësojnë se këto statistika flasin për mosefikasitet të kësaj legjislature.
Erblin Hoxha, hulumtues në Lëvizjen FOL, thotë se deputetët e pushtetit e të opozitës kanë përgjegjësi të njëjtë para qytetarëve në angazhimin e tyre për të miratuar ligje. Megjithëkëtë, thekson se barra kryesore i takon Qeverisë.
“Në rastet kur nismat legjislative janë nga Qeveria dhe kuorumi apo edhe thjesht mungesa e votave bazike nga ana e pozitës mungon, atëherë përgjegjësia kuptohet që bie shumë më shumë mbi Qeverinë sesa opozitën”, ka thënë Hoxha.
Jo pak procese votimi në Kuvend dështojnë në mungesë kuorumi.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ishte zotuar se do t’ua hiqte mëditjet deputetëve që nuk qëndrojnë në sallë gjatë shqyrtimit dhe votimit të ligjeve. Por, masa të tilla nuk janë parë.
Në shoqërinë civile konsiderojnë se disiplinimi i deputetëve mund të sigurohet nëpërmjet sanksioneve ndaj tyre.
“Sanksionimi duhet të bjerë mbi deputetët që nuk marrin pjesë në votim apo nuk e bëjnë kuorumin e mjaftueshëm për ta quar një çështje përpara”, ka shtuar ai.
Kuvendi i Kosovës ka pika të papërfunduara që nga shkurti.
Për shkak të mungesës së kuorumit, ka një muaj që pa u miratuar ka mbetur rishikimi i buxhetit, e edhe projektligji që i hap rrugë ngritjes së pagës minimale.