Zyrtarët komunalë të Fushë-Kosovës kanë thënë se 33 familjarë të personave të prekur me koronavirus nga fshati Miradi e Poshtme kanë rezultuar negativë.
Në një komunikatë për media, të kësaj komune thuhet se gjendja e tre personave që tashmë janë të infektuar nga ky fshat është e mirë, raporton KOHA.
“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë konfirmon se 33 personat e testuar të fshatit Miradi e Ulët, që i përkisnin rrethit familjar të tre të infektuarve me Covid 19, kanë dal negativë.
Ky është një lajm i mirë për banorët e këtij fshati, por edhe për të gjithë qytetarët e Komunës së Fushë-Kosovës. Shtabi Emergjent në Fushë-Kosovë, falënderon IKSH për veprimin e shpejt, në mënyrë që të sqarohet gjendja e rrethit social të të prekurve nga Covid-19.
Njëherësh njoftojë se gjendja e të prekurve është shumë e mirë dhe ata janë në përkujdesje të vazhdueshme”, ka thënë nëpërmjet këtij njoftimi kryetari i Komunës, Burim Berisha.
Ditë më parë IKSHP-ja kishte njoftuar se tre persona nga kjo komunë kanë dalë pozitivë me Covid-19.
Ndërsa, menjëherë komuna e Fushë-Kosovë kishte reaguar duke e quajtur këtë lajm si të paverifikuar dhe politik.
“Me këtë rast, duam të falënderojmë familjarët e të prekurve dhe qytetarët e fshatit Miradi e Poshtme për mirëkuptimin, bashkëpunimin dhe maturinë e treguar gjatë këtyre ditëve. Gjithashtu falënderojmë edhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, të cilët pas reagimit publik që kemi pasur, kanë vendosur një bashkëpunim ndërinstitucional shumë korrekt dhe profesional. Shpresojmë që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen si mënyra më e mirë e menaxhimit të kësaj situate, duke u vënë në shërbim të vazhdueshëm të secilit qytetar që ka nevojë për çfarëdo ndihme”, është shprehur Berisha.
Ai ka theksuar se po merren të gjitha masat që kjo gjendje të kalohet sa më shpejt dhe sa më lehtë.
“Më këtë rast, Shtabi Emergjent në Fushë-Kosovë falënderon për përkushtimin dhe kujdesin e treguar deri tani, qytetarët, stafin mjekësor, policinë, punëtorët e Ndërmarrjes Pastrimi, të Ujësjellësit Batllava, marketet dhe gjithë ata që janë 24 orë në shërbim që qytetarët ta kenë më të lehtë përballimin e kësaj situate. Duke u falënderuar njëherësh lusim qytetarët, të vazhdojnë edhe më tej me këtë përkushtim të respektoni rekomandimet e institucioneve dhe të përmbaheni, për të mos dal jashtë shtëpisë. Duke qëndruar në shtëpi, mbroni veten dhe familjen”, ka deklaruar kreu i Fushë-Kosovës.