Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka shpërndarë një postim në rrjetin social, Facebook, në të cilin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, cilësohej proserb. Nga kabineti i tij e kanë pranuar shpërndarjen, por kanë thënë se ka qenë klikim i paqëllimshëm i butonit të shpërndarjes. Postimi është fshirë, pak minuta më pas.
“Ju kam thënë moti që Edi Rama është burrë i mirë, veç që është pak pro-serb!!”, shkruhej në postimin e Rasim Terziut, të cilin e shpërndau Bislimi. Në postim ishte një fotografi nga takimi i krerëve të shteteve të rajonit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në kuadër të Samitit të krerëve të shteteve të Evropës Juglindore (SEECP) në Greqi. Rama (në krah të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani), për dallim nga krerët tjerë, në imazh duket me vëmendje tjetërkund.
Nga kabineti i Bislimit kanë sqaruar shpërndarjen. Këshilltari i tij, Klisman Kadiu, ka thënë se ka qenë shpërndarje e paqëllimshme. Sipas tij, dy minuta pas shpërndarjes, postimi është fshirë. Ai ka mohuar se ka pasur qëllim apo mesazh me shpërndarje.
“Postimi në profilin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi është shpërndarë gabimisht. Gjatë shfletimit të postimeve në rrjetin social ‘Facebook’, është klikuar paqëllim butoni i shpërndarjes. Sapo është vënë re (2 minuta pas shpërndarjes) ajo është fshirë menjëherë. Nuk ka as intencë, as mesazh, pas një shpërndarje të bërë pa qëllim. Kosova dhe Shqipëria gëzojnë marrëdhënie solide bashkëpunimi. Një shpërndarje e tillë e paqëllimshme, nuk duhet të keqpërdoret për të nënkuptuar mesazhe që nuk ekzistojnë”, ka shkruar Kadiu në Facebook të shtunën pasdite.
Në komente, Kadiut i janë dhënë përgjigje se për t’u shpërndarë një postim nuk mjafton vetëm një klikim.
Kadiu ka kritikuar edhe mediat që janë marrë me këtë çështje. Edhe pse e ka pranuar se shpërndarja është bërë nga Bislimi, Kadiu ka thënë se “asnjë media serioze, nuk e shpërndan një lajm dhe të nxjerrë konkluzione inekzistente, nga një shpërndarje e paverifikuar dhe e larguar menjëherë”.
Fotografia e shpërndarë menjëherë u bë virale në rrjetet sociale. Ka pasur reagim edhe nga opozita.
Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës, i ka dalë në mbrojtje Edi Ramës. Ajo ka thënë se “ne mund të mos pajtohemi me kryeministri Rama rreth 1 çështjeje, por pajtohemi për 99 tjera”.
“Kam qenë vetë dëshmitare e shumë situatave jo të lehta për Kosovën dhe e kam parë me sytë e mi, edhe e kam dëgjuar me veshët e mi, mbështetjen që i jep kryeministri Rama Kosovës. dorën në zemër, shpesh edhe me më shumë elokuencë se ne vetë. Pastaj, është për keqardhje që sot, në ditën e çlirimit të Kosovës po duhet me ua përkujtu disave ndihmën e jashtëzakonshme që e ka dhënë Shqipëria për lirinë dhe pavarësinë tonë. Mos krijoni gogola. Mos krijoni armiq të paqenë”, ka shkruar ajo.
Në opinion në Kosovë, kryeministri Rama viteve të fundit ka marrë kritika nga krerë institucionalë e partish. Ka qenë iniciativa e “Ballkanit të Hapur”, e nisur nga Rama dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ish-kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ajo që nxiti polemika. Kosova në vazhdimësi ka refuzuar të marrë pjesë në këtë iniciativë. Rama direkt kishte kritikuar liderë të Kosovës për vendimin, ndërsa ka pasur polemika me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, por edhe me kryeministrin aktual, Albin Kurti.